Tre muaj para zgjedhjeve Ilir Meta është politikani më komod. Ka në dorë mbijetesën e njërës parti në pushtet, ose shpresën e tjetrës. Kryeredaktori i Shqiptarja.com Edmond Arizaj analizon portretin e zgjedhor pa autorizim të kryetarit të LSI-së. Në ditët e kaluara, Arizaj publikoi në Shqiptarja.com (print) dhe portretin e  Edi Ramës, sfida e një rilindasi dhe Qershori i tretë i Sali Berishës

KONTI I LSI-së

Në fakt, Konti më I njohur në botë është ai i Monte Kristos dhe m’atëkohë, Aleksandër Dyma nuk është se kishte parasysh një Ilir Metë, për Edmond Dantesin e tij. Për këdo që kërkon paralelizma, Dantesi duket se është më i gjetur për Metën e LSI. I ri, me ambicie, i fortë, altruist…E që nga idili, bie në honet më të zeza pikërisht nga miqtë-armiq…Për t’u rikthyer nga “harresa” në njeriun më të përfolur, madje dhe më të kërkuar, pikërisht nga miqtë-armiq…

Nuk ka të krahasuar ky tremujor parazgjedhor i këtij viti me atë të 2009 për Metën. Katër vjet më parë Meta përpëlitej në kufijtë e mbijetesës dhe frikën e mosegzistencës politike. Sot, janë të tjerët që përpëliten në dyshimet e mëdha të vendimit të Metës dhe frikën se ku do të pozicionohet ai, pas një muaji, apo pas tre muajsh.

Nëse kërkon dikënd ta ballafaqosh me shprehjen “po lufton me armët e tjetrit”, Ilir Metën e gjen në krye të LSI. Një ndryshim në kod, në parazgjedhjet e 2009, ishte arma sekrete për të anulluar politikisht ish-kryeministrin e socialistëve. Përtej parashikimeve, ai mbijetoi… Sot, kjo armë elektorale e bën një superfuqi politike, pavarësisht se ka gjashtë herë më pak vota se çdo njëra nga dy partitë e mëdha.

Meta është i vetëdijshëm për forcën e tij. Çdo sondazh, e nxjerr njeriun që do të anojë peshoren e pushtetit. Pikërisht kjo qetësi parazgjedhore, që nuk e kanë të tjerët, e bën Metën të flasë si një prind, jo vetëm me Ramën pesë vjeç më të madh, por edhe me Berishën 27 vjet më lart se ai…Nuk ka hyrë “në të thellat” e taksës, ekonomisë, mirëqënies e rrugëve, por është mjaftuar duke kërkuar qetësi, bashkëpunim e integrim.

Një politikan europian? Eshtë i njëjti që pakkush në sallën e Kuvendit guxon ta atakojë drejtëpërdrejtë, i njëjti që nuk e la kryetaren e Kuvendit të mbarojë fjalën duke detyruar gardën të thurrë gardhin e Ndre Legisin të rrëzojë vazon e luleve, e po i njëjti që inicioi grevën e urisë së deputetëve të tij brenda sallës së kuvendit. Grevë që u mbyll me një nga fjalitë më të bukura të thëna ndonjëherë në atë sallë: “Mos harroni se më quajnë Ilir ( i lirë)”…

Ai është një politikan shqiptar. I nyjëtuar në kanionet e Skraparit, i dalë mbi dallgët e Tiranës së tërbuar, i sprovuar në prapaskenat e njëpasnjëshme të PS-së. Një shpirt freshisti, i gatshëm për t’u sakrifikuar, përzier fort me një mendje që punon me 100 kuaj fuqi. Ilir, (i lirë)…Nëse i sheh jetën politike, Meta nuk ka pranuar ndonjëherë vasalitet. Madje edhe katërvjeçari i pushtetit me Berishën, ishte një tra ekuilibri ku u ndeshën të dy bashkë, e ku jo njëherë i dhanë dorën njëri- tjetrit për ta shpëtuar nga rrëzimi.

Një mbajtje-shtytje, që për studiuesit dhe psikologët e politikës duhet të vlejë shumë.
Për të, shprehja “jam me fat” duket se nuk egziston. Ai e ka pasur në dorë fatin e tij, e ka latuar, e ka përpunuar, e ka skalitur, madje e ka kapur edhe për flokësh. “Do bëhet si them unë”, dhe si me magji ashtu është bërë. Por megjithatë, edhe fati është lodhur njëherë me Metën.

Iu shfaq i zi, këtë rradhë, në kulmin e fuqisë si zëvendëskryeministër, nëpërmjet një videoje…Një shakullimë e ftohtë, e fortë dhe e egër. Pak e ngjashme me ndryshimet elektorale. E paafrueshme me kongresin e 2004. Fati u ngrit i lodhur mbi sukseset e Metës, me emrin e një prej miqve të tij. Moisiu kundër Skënderit? Apo Demetër Fari kundër Teutës? Ka plotë shembuj ky vendëth i vogël.

Moisiu u zileps e Demetri donte më shumë pushtet…Ata që nuk dinin se ç’po ndodhte “lart” u mjaftonte të trazonin urat “poshtë”…Shumë ujë rrodhi…Madje edhe viktima. Gjykata dha pafajësinë... A i mbeti ndonjë cen Metës nga këta muajt e zjarrit, ndoshta e vetmja peripeci politike që ai nuk e kishte kaluar? Votuesit thanë jo. E, kjo ishte më e rëndësishme se  çdo takim buzagaz me të huaj dhe vendas…

Meta nuk është një piktor I fjalës. Nuk është një artist i zërit, e nuk interesohet të jetë spektakël televiziv. Eshtë thjesht…lider. I lindur për të drejtuar, i lindur për të mos u bindur. Meta nuk kërkon t’i bëjë për vete njerëzit nëpërmjet kamerave, por kërkon ta ndjejë të gjallë ndryshimin e pulsit të tyre. Eshtë i pakët në spektakël, por i bollshëm në prani. Kërkon të prekë çdo gjë me dorën e vet. Dyshimtar? Eshtë vetia e një politikani që i di kufijtë, që nuk kërkon të kënaqet me sinorët “e botës”, por që ashpërsisht ruan territorin e tij. Me një vullnet që nuk i është lëkundur prej kaq vitesh, ende nuk po duket se ku është piku i këtij politikani. Dhe është i ri, shumë i ri…

Ai nuk është më “një pikë uji”. Tonet e zbutura nga njëri krah dhe heshtja në pritje nga krahu tjetër, japin qartë pamjen se “uji” i Metës, duhet për të njomur buzën e tharë prej tetë vitesh, apo për të nginjur edhe për katër vjet. Meta nuk nxiton. Ethet tashmë kanë nisur, dhe qytetet e fshatrat po presin e përcjellin herë njërin herë tjetrin, por jo Metën. Eshtë i kursyer në dalje dhe i ngadaltë në propozime. Ndoshta ende i kujtohet laku i 2009…Hakmarrja e avashtë shijon. Kështu të paktën shkruante Dymaja, teksa Edmond Dantes planifikonte ngadalë, qetë dhe deri në detaje revanshin e tij.

Vetëm se Dantesi i Dymasë i kishte armiqtë e tij. Meta sot…s’ka. Dhe duket se deri në prill s’ka për të pasur. E nëse vendos të jetë sërish vetëm në zgjedhje, këtë rradhë dukshëm pa frikën e eleminimit politik, sërish nuk do të ketë armiq. Atij mund t’i lejohet të atakojë, por kundërshtarët, eh si vjen puna, do ta kenë të vështirë të prekin sadopak, të paktën publikisht, Ilir Metën. 23 qershori nuk është larg, dhe herë herë Meta ka treguar se vepron edhe në inat të momentit. E një fjalë e thënë pa kujdes, diku fshatrave, mund të peshojë katër vjet opozitë…

Sot ai është njeriu më i përfolur, më i kërkuar dhe që sjell më shumë dyshime. Çdo të bëjë? Dikur, Dymaja e ktheu Dantesin tek dashuria e tij e vjetër. Por s’ishte veç një libër. Në realitet, Ilir Meta është sot edhe shkrimtari edhe konti-personazh. Fabulën e shkruan vetë. Për tre muaj. Pa sfidë. Pa emocione. Madje edhe pa gërma, vetëm me numra…

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptaja.com (print) 26.03.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)