Kryeministri Edi Rama ironizoi opozitën nga një takim me sipërmarrës në sektorin e ndërtimit dhe iu përgjigj akuzave të tyre për pastrim parash, duke thënë se ky sektor ka rol jetik në zhvillimin ekonomike dhe  transformimin e vendit. Kryeministri solli shembullin e Maqedonisë apo Malit të Zi për të cilat tha se kanë qenë gati në konflikte civile, por kundërshtarët e qeverisë nuk shkonin kurrë në Bruksel për të nxirë imazhin e vendit. Rama tha se beteja politike nuk fitohet duke furnizuar mediat e huaja me baltë e as duke u ankuar në Bruksel apo duke paguar portale.

“Nuk e kuptojnë ata se çfarë do të thotë të japësh 700 paga në muaj dhe t’i japësh çdo muaj, dhe t’i rrisësh dhe të vazhdosh ti japësh, nuk e kuptojnë se çfarë do të thotë të ndërtosh një kompani, të rrisësh një kompani.  Atyre ju duhet të mbushin 2 orë televizor, hajde kap dy shqipo atje që ju duket sikur ju rritet vlera kur flasin dhe intervistohen nga gazetarë të huaj dhe fut e bjer Shqipërisë. Se ma thonë ata andej si ka mundësi. Ka pasur gati luftë civile në Maqedoni, nuk shkonin kundërshtarët e qeverisë nga Shkupi të shkonin në Bruksel dhe të ulnin e të ngrinin një Maqedoninë si një vend për tu dënuar. Nuk e bënin, ka pasur në Mal të Zi gati konflikt civil, se ata janë gjysma këtej e gjysma andej, nuk shkonin në Bruksel të ulnin e të ngrinin njëri tjetrin dhe të kërkonin dënimin e Malit të Zi. Bullgaria sot nuk gjen rehat, është në BE, nuk gjen rehat nga lufta e brendshme, nuk shkojnë në Bruksel të thonë dënoni Bullgarinë. Po pse atje fitohet beteja politike, po fitohet beteja politike duke furnizuar mediat e huaja me baltë? Po nuk fitohet duke paguar gazetarë e duke paguar portale jashtë për të nxjerrë baltën”, tha Rama.


Lajmi kryesor:

Rama: Ndërtimi solli transformim, e fusin në kornizën e krimit për të nxirë imazhin e vendit! Beteja politike s'fitohet duke hedhur baltë