Futbollisti i kombëtares portugeze, Raul Meireles ka deklaruar se e kupton reagimin e tifozëve pas humbjes në miqësoren kundër Turqisë, por ka kërkuar nga ata që të jenë të durueshëm, pasi sipas tij Portugalia mund të ketë sukses në Euro 2012.

“Është normale të vërshëllehesh nga tifozët tuaj kur humbni në shtëpi. Tifozët tanë janë paksa të padurueshëm dhe kur rezultati nuk është pozitiv ata na bëjnë me dije se nuk janë të kënaqur. Megjithatë i këshilloj të mos shqetësohen. Ata duhet të vazhdojnë të besojnë tek ne dhe në një bilanc pozitiv në Evropian”, ka theksuar Meireles.

Turqia shënoi fitore në Lisbonë, me rezultat 3:1. Shqetësimi i tifozëve portugezë është i logjikshëm, duke pasur parasysh faktin se Portuglia në Euro 2012 bën pjesë në “grupin e ferrit”. Ndeshjen e parë portugezët e luajnë kundër Gjermanisë, kurse më pas do të ballafaqohen me Holandën dhe Danimarkën.(rb/shqiptarja.com)