Vodhi pagesën mujore të 90 pensionistëve në zonën e Matit në muajin nëntor 2014, përfundon në gjykatë ish- postieri Skënder Xhomara.

Xhomara akuzohet se përfitoi 1.2 milion lekë të pensioneve për muajin nëntor që i kishte marrë nga posta për tua shpërndarë pensionistëve të fshatit Rukaj në zonën e Matit, por pasi mori lekët ai u largua për në itali.

Hetimet kanë zbardhur skemën e vjedhjes dhe ndaj tij ka një masë sigurie arrest me burg dhënë në mungesë.
 
Informacioni I plotë nga Prokuroria e Matit
"Prokuroria e Matit ka përfunduar hetimet dhe dërgon për gjykim për shtetasin Skënder Xhomara, ish-agjent postar i Posta Shqiptare sh.a, i akuzuar se ka vjedhur paratë që u takonin për muajin nëntor 2014 rreth 90 personave në formën e pensionit të invaliditetit. Pasi ka marrë rreth 1.2 milionë lekë të reja nga filiali i postës Mat për t’i shpërndarë tek përfituesit që banonin në fshatrat e komunës Rukaj, i pandehuri është larguar drejt Italisë me shumën e lekëve të vjedhura. Pak para se të nisej për në Itali, i pandehuri i ka telefonuar një mikut të tij, ku i ka kërkuar që në makinën e tij të merrte disa dokumenta dhe t’ia dërgonte shefit të financës të filialit të Postës. Pasi dokumentacioni u administrua nga filiali, rezultoi se për muajin nëntor ishin paguar vetëm 6 persona, të cilët përftonin pensionin e paaftësisë, ndërkohë që pjesa tjetër e parave nuk ishte kthyer nga i pandehuri.
Pasi u konstatua vjedhja, drejtuesit e filialit të Posta Shqiptare sh.a, Mat, kanë dorëzuar kallëzim penal kundër ish-punonjësit Xhomara. Prokuroria zhvilloi hetimet dhe ka dërguar për gjykim kërkesën kundër shtetasit Skënder Xhomara, i akuzuar për veprën penale të “Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”, parashikuar nga neni 135 i Kodit Penal. Ndaj të pandehurit është në fuqi masa e sigurisë “arrest në burg” në mungesë"


Redaksia Online
(o.b/ Shqiptarja.com)