TIRANË- Një video e publikuar në rrjetin social ‘Tik Tok’, i ka kushtuar shumë një 21-vjeçari. Tashmë është bërë e “modës” publikimi i videove ku të rinjtë bëjnë “të fortin” dhe e tregojnë me krenari që kanë shkelur ligjet, mirëpo kjo gjë i ka sjellë pasoja të riut në Tiranë.
Ai është ndaluar nga policia dhe përveç se po rrinte në celular gjatë kohës që ishte në timon, rezultoi edhe që po i jepte makinës nën efektin e drogës, pa patentë dhe pa rripin e sigurimit. Për rrjedhojë, 21-vjeçari me inicialet E.D është ndaluar për veprën penale "Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt".
"Postoi video në një rrjet social, për të reklamuar shkeljen rrugore që po kryente, Policia identifikon dhe ndalon drejtuesin e mjetit. Shërbimet e Qarkullimit Rrugor, pas publikimit të një videoje në rrjetin social TikTok, në të cilën shfaqej një shtetas që përdorte aparatin celular gjatë drejtimit të mjetit, menjëherë organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e tij.
Në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", shërbimet e Policisë kanë ndaluar mjetin me drejtues shtetasin E. D., 21 vjeç, i cili drejtonte mjetin duke përdorur celularin, pa vendosur rripin e sigurisë dhe pa leje drejtimi. Gjatë testit të kryer me AquilaScan rezultoi se ky shtetas drejtonte mjetin, nën efektin e lëndëve narkotike. Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. D., për veprën penale "Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt". njofton policia.