TIRANE- Konferenca e kryetarëve diskuton pr/ligjin për buxhetin e vitit 2013. Sipas zv ministrit të Financave Nezir Haldeda, i cili prezantoi pr/ligjin, parashikohet që rritja ekonomike të jetë 4 %, ndërkohë që borxhi publik parashikohet të jetë 62. 6 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Ndërkohë që Ligji për menaxhimin e buxhetit parashikon një borxh publik jo më të lartë se 60 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit. Edhe në mbledhjen e qeverisë, të së hënës së kaluar, kryeministri Berisha deklaroi se borxhi publik do të lejohet të kalojë në kuotën 62.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto,nga 60% që parashikon ligji, duke shpërfillur këshillat këmbëngulëse të ndërkombëtarëve

Sipas zotit Haldeda politika fiskale e këtij pr.buxheti do të ketë në fokus nxitjen e rritjes ekonomike. “Instrument kryesor do të jenë investimet publike në nivelin 5 % të Produktit të Brendshëm bruto dhe rritja e përvitshme e pagave e pensione dhe politikë fiskale lehtësuese për biznesin.

Sipas ministrisë së Financave deficiti fiskal parashikohet 3. 4% . Të ardhurat fiskale parashikohen 360. 6 miliardë lekë, në një rritje me 5. 8 % krahasuar me 2012. Të ardhurat tatimore parashikohen të kenë rritje 17. 8 % të PBB.
Shpenzimet e personelit pritet të jenë 1 % më pak se ato të 2012. Këtë vit do të jenë 5% të PBB.

Pritet që pr/buxheti nga nesër të diskutohet në komisionet parlamentare duke filluar nga komisioni i Ekonomisë, ku ky pr/ligj do të prezantohet nga vetë ministri i Financave Ridvan Bode.

(sg/shqiptarja.com)