/ATSH/.- Komisioni parlamentar i Ligjeve mbështeti sot kërkesat e përfaqësuesve të Presidencës për shtesë fondesh në buxhetin e këtij institucioni për vitin 2015.
Deputetët e maxhorancës miratuan një shtesë prej 8 milion lekësh në buxhet, të nevojshme për përballimin e aktiviteteve që Presidenti i Republikës parashikon të organizojë vitin e ardhshëm.
Zyrtarët e Presidencës, të pranishëm në komision, deklaruan se fondet e dhëna nga qeveria për vitin në vazhdim shënonin një ulje me 8.1% të buxhetit. Sipas tyre, 2015 është një vit i ngarkuar për shkak të aktiviteteve që parashikohet të organizohen nga Kreu i Shtetit dhe për të cilat shuma e vënë në dispozicion është e pamjaftueshme. Ndër të tjera, ata sqaruan se këtë vit ky institucion ka 13 milion lekë shtesë shpenzime operative.
Deputeti i Partisë Socialiste, Bashkim Fino mbështeti kërkesat e Presidentit, duke u shprehur se do t'i adresojë ato tek Komisioni i Ekonomisë. Kërkesat në fjalë morën më pas miratimin nga anëtarët e komisionit.
Një ditë më parë, Presidenti i Republikës Bujar Nishani, përmes një letre, u ankua në Kuvend për buxhetin e pamjaftueshëm akorduar këtij institucioni. Në letrën e tij, ai vuri në dukje shkurtimin drastik të shpenzimeve për Presidencën, e cila vitin e ardhshëm do të përballet me aktivitete të shumta në kuadër të përmbushjes së funksioneve të tij.