Partia Republikane çeli pasditen e së hënës në Durrës fushatën elektorale, duke garantuar mbështetje për dy kandidatët e Partisë Demokratike për bashkinë e Durrësit dhe atë të Shijakut.
Kreu i PartisëDemokratike, Lulzim Basha, i pranishëm në ceremoninë e çeljes së fushatës nga PR, i cilësoi kandidatët e djathtë persona të punës dhe dinjitetit. Ai u shpreh se vota në 21 qershor do jetë votë për të ndalur të keqen e qeverisjes oligarkike të dyshes Rama-Meta.
"Në këtë hapje të aleatëve tanë të miqve tanë të bashkë-udhëtarëve tanë të PR kam nderin dhe kënaqësinë të ndjej bashkë me ju frymën e fitores që po përhapet lagje më lagje, e shtepi me shtepi. Vendosmëri për të mos e lënë këtë në rrjedhje të lirë, por ta besuar në duar e vendimmarrësve të denjë që jeni ju. Miqtë tanë amerikanë na kujtuan me fjalët e tyre parimin e shenjtë të demokracisë atë të vendimmarrjes nga qytetarët me zgjedhje të lirë. Shqiptarët do japin mesazhin e përgjithshëm në këto zgjedhje vendore të ndaljes së të keqes. Grida Duma, emblematikja e nismës së re, ripërtëritjes dhe frymës së fitores së PD në këto zgjedhje. Në asnjë moment nuk kemi folur për interesa të ngushta të pushtetit politik. Kemi përfaqësuar interesat tuaja, bukën e gojës së familjeve tuaja dhe fëmijëve tuaj. Premtuan 300 mijë vende pune dhe unë ja u them sot. Unë dhe Fatmir Mediu dëshiruam dhe uruam të kishin sukses, sepse interesi ynë më i mirë është interesi i qytetarëve. Dy vite kanë kaluar asnjë vend i lirë pune për be'. 200 njerëz kam larguar sot nga puna më tha një investitor i huaj. Disa herë ju drejtova qeverisë për të zgjidhur problemin taksave të larta. Nuk deshën t'ia dinë. Ku e ka mendjen Edi Ram dhe Ilir Meta", u shpreh Basha.
Ai ftoi qytetarët që në 21 qershor të ndëshkojnë me votë qeverinë që nuk mbajti premtimet. "Në 21 qershor ju ftojmë t'i bashkojmë këto kartonat me një votë plebishitare, me votën tonë të ndalim të keqen, të ndëshkojmë qeverinë e mashtrimeve. Me votën tonë të përqafojmë platformën tonë platformën e Grida Dumës për Durrësin.
Vota juaj për Grida Dumën është votë për dinjitetin tuaj. Vota juaj për opozitën është votë për platformën kombëtare, uljen me 25% të çmimit të energjisë dhe uljen e kamatëvonesave", theksoi Basha.
Lideri i PD-së deklaroi se me votën e 21 qershorit qeveria do të pranojë platformën e opozitës ose në të kundërt do të largohet.
Ndërsa, kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, e ka quajtur që tani kandidaten e opozitës për Durrësin, kryetare të Bashkisë. Në fjalën e tij në çeljen e fushatës së republikanëve, Mediu deklaroi se 21 qershori duhet të konsiderohet si një ditë e shpresës kundër thyerjes së besimit që ka sjellë dyshja Rama-Meta. Kreu i PR-së theksoi se ka ardhur koha që shqiptarët ti thonë jo pushtetit të marrëzisë.
"21 qershori duhet të konsiderohet nga ne si një ditë e madhe, si një ditë e shpresës kundër thyerjes së besimit që ka sjellë dyshja Rama-Meta. 21 qershori dita ku do të shprehet qartë qëndrimi ynë. A do të heshtim ne përballë dhunës së përditshme, qoftë fjalorit të Ramës, qoftë manipulimit të Metës? A mund të pranojmë që kryeministri Rama, mungesën e punës dhe vizionit të tij, pas dy vitesh ta justifikojë me atë që ka kaluar? Apo ka ardhur koha dhe besoj që po, se ne si shqiptarë do të gjejmë kurajën t'i themi jo pushtetit të marrëzisë dhe si njerëz me dinjitet të shkojmë me vullnetin tonë të lirë dhe të votojmë për njerëzit që ofrojnë përkushtim për jetën e banorëve të Durrësit", theksoi kreu i PR-së. /atsh/