TIRANË- Ndarja e tokës bujqësore, dhënia e saj në përdorim dhe më pas kalimi në pronësi është shoqëruar me mangësi e probleme të ndryshme. Në vite, komisionet e tokës në fshat, në shumë raste, nuk kanë plotësuar dokumentacionin e fitimit të pronësisë, Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP) për të gjitha familjet bujqësore, që kanë plotësuar kriteret ligjore si përfitues.

Plotësimi dhe riparimi i mangësisë kryesore, plotësimi i dokumentacionit të pronësisë, solli si nevojë përgatitjen e një ligji të ri në vitin 2012, i cili ka rënë nga fuqia më 1 tetor 2013. Por, shumë komuna apo bashki të vendit nuk përmbyllën në afatin ligjor këtë proces shumë të rëndësishëm. Për rrjedhojë, një pjesë e madhe e njësive të qeverisjes vendore, të cilat kanë në juridiksionin e tyre tokë bujqësore, me origjinë nga ish-ndërmarrjet bujqësore, ende nuk kanë përfunduar procesin e plotësimit të dokumentacionit të pronësisë.

Një projektligj i ri, që ka mbërritur në Kuvend për miratim, trajton rastet kur komisioni i ndarjes së tokës bujqësore e ka ndarë atë, por nuk ka plotësuar aktet e marrjes së tokës në pronësi për familjet bujqësore ose individët që janë subjekte të trajtimit me tokë bujqësore në pronësi sipas ligjit dhe që faktikisht e përdorin dhe e shfrytëzojnë tokën bujqësore.

Në asnjë rast, objekt i këtij pr/ligji nuk janë tokat bujqësore të pandara dhe as krijimi i titujve të rinj të pronësisë. Qëllimi i këtij projektligji është rregullimi i situatës juridike për familjet bujqësore apo individët, subjekte të përfitimit të tokës bujqësore në pronësi, të cilët e përdorin atë faktikisht, por që, për shkaqe të ndryshme, nuk janë pajisur me tituj pronësie.

Aktualisht ka familje bujqësore apo individë, të cilët janë pajisur me akte të marrjes së tokës në përdorim pas shkurtit 1996, si dhe janë pajisur me akte të marrjes së tokës në pronësi; po ashtu janë pajisur me akte të marrjes së tokës në pronësi pa u pajisur më parë me aktin e marrjes së tokës në përdorim; janë pajisur me akte të marrjes së tokës në përdorim para shkurtit 1996, por nuk disponojnë akte të marrjes së tokës në pronësi; janë pajisur me akte të marrjes së tokës në përdorim pas shkurtit 1996, por nuk disponojnë akte të marrjes së tokës në pronësi; nuk janë pajisur as me akte të marrjes së tokës në përdorim dhe as me akte të marrjes së tokës në pronësi.

Pr/ligji parashikon që ata që duhet të kenë qenë subjekte të përfitimit të tokës bujqësore në pronësi; të përdorin tokën faktikisht për qëllime bujqësore; sipërfaqja për të cilën do të jepet titulli i pronësisë në çdo rast nuk mund të kalojë sipërfaqen që i takonte sipas normës për frymë të fshatit.

Projektligji parashikon disa kufizime, përsa i takon dhënies në pronësi të sipërfaqeve të caktuara të tokave bujqësore, kur prona është regjistruar në regjistrin e pasurive të paluajtshme të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme si pronë private; është përfshirë në procesin e legalizimeve, apo është lëshuar akti i pronësis nga komisionet e ndarjes së tokës, ose është objekt i një konflikti gjyqësor. /ATSH/