Gjate mbledhjes se komisionit te ligjeve Foto Albert Myftaraj ATSH
-Komisioni i ligjeve shqyrton propozimet e Ministrisë së Brendshme-
TIRANË, 8 Korrik/ATSH-Arbi Fortuzi/-. Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën  Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi sot nen për nen vetëm me votat e mazhorancës tre projektligjet e paraqitura nga Ministria e Brendshme, "Për përdorimin e amrëve të zjarrit", "Për Armët" dhe "Për shërbimin privat të sigurisë fizike".
Gjatë punës së komisionit, i cili u drejtua nga kryetari i saj, Fatmir Xhafa, pati diskutime lidhur me nene të caktuara të ligjeve në fjalë.
Kështu, sa i takon projektligjit "Për përdorimin e armëve të zjarrit", draft ky që i referohet punonjësve të policisë së shtetit, relatorja e çështjes Ermonela Felaj kërkoi që pr/ligji të sqaronte fillimisht momentet kur nuk lejohet përdorimi i armëve të zjarrit dhe më tej momentet që lejohet. "fillimisht duhe të sqarojmë se armët e zjarrit duhet të përdoren nga ana e punonjësve të policisë vetëm në rastet kur domosdoshmërisht është e nevojshme dhe të përcaktojmë të gjitha pikat kur ky përdorim nuk lejohet për ta mbyllur draftin me pikat që lejohet", tha Felaj. Deputeti i PS-së, Armand Subashi nga krahu tjetër kërkoi një sqarim lidhur me procedurat që do ndiqen për ngritjen e grupit kontrollor në Ministrinë e Brendshme për vlerësimin e mënyrës se si është përdorur arma dhe nëse ky grup apo bord do të jetë në bashëkpunim me prokurorinë apo do të jetë zë ndryshe i cili mund të krijoi dhe përplasje mendimesh.
Këto vërejtje u morën parasysh nga përfaqësuesit e Ministrisë së Brendshme në komision dhe deputetët e miratuan nen për nen pr/ligjin në fjalë. Kundër u shprehën vetëm dy anëtarët e opozitës të pranishëm, Oerd Bylykbashi dhe Edi Paloka.
Sa i takon pr/ligjit për "mbajtjen e armëve me leje", nuk pati diskutime të gjata. Deputetja e PS-së, Ermonela Felaj, njëkohësisht edhe relatore e çështjes kërkoi përforcimin e kritereve që i japin të drejtë një personi të mbaj armë, ndërsa veçoi se drafti duhet të përcaktoj qartë se i referohet koleksionistëve dhe armëve të gjahut. Edhe këto vërejtje u mirëpritën nga përfaqësia e Ministrisë së Brendshme e pranishme në komision dhe u ra dakord rishikimi i disa pikave bashkarisht me deputetët, ndërsa drafti u votua parimisht nga anëtarët e majtë të komisionit, pasi dy deputetët e partisë demokratike votuan sërish kundër.
Pr/ligji i tretë, "Për shërbimin privat të sigurisë fizike", i përbër nga 60 nene, sikurse edhe pr/ligji për armët, Deputetja e PS-së kërkoi ti vihet theksi trajnimeve, ndërsa shtoi se duhet nënvizuar faktis e nuk lejohet ngritja e një shoqërie private për sigurinë fizike nga persona apo të afërm të personave që punojnë akutalisht në polici. Ndërsa Vasilika Hysi, kërkoi forcimin e kriterëve që i japin të drejtën një personi për tu bërë drejtues teknik i një kompania private të ruajtjes fizike. Së fundmi, nga deputetët e majtë u kërkua që të gjithë kompanitë aktuale ti nënshtrohen trajnimeve dhe kontrolloeve lidhur me kriteret e personelit. Kryetari i Komisionit, Fatmir Xhafa, ndër të tjera shtoi se, "Duhet një vëmendje për burimet njerëzore që rekrutohet nga këto kompani, pasi shpesh herë kemi punonjës persona që janë përjashtuar nga policia e shtetiti për shpërdorimi detyre..etj, por që vijojnë karrierën në këto kompani dhe kjo është e patolerueshme, pasi një person që ka bërë një shkelje në rendin publik, nuk mund të jetë i besueshëm dhe kjo duhet shënuar me të zeza", tha ish-Ministri i Drejtësisë, aktualisht kreu i komisionit të ligjeve dhe deputet i Partisë Socialiste, Fatmir Xhafa. Ky draft u miratua në parim vetëm nga votat e mazhorancës, pasi opozita nuk ishte e pranishme në sallë../a.g/