Vetëm pak sekonda larg katastrofës. Momenti dramatik, kur dy avionë gati u përplasën në pistën e aeroportit “El Prat” të Spanjës, është filmuar rastësisht e videoja është kthyer në një sensacion të internetit.
 
Pamjet tregojne se si një “Boeing 767”, i kompanisë ajrore ruse “Utair”, dhe një “Airbus A340”, i “Aerolineas Argentinas”, kryqëzojnë rrugën, njëri në tentativë uljeje, tjetri duke lëvizur në pistë.
 
Në çastet e fundit, piloti i avionit në ajër heq dorë nga zbritja në tokë, duke shmangur kështu një fatkeqësi të mundshme...
 
Avioni i nisur nga Rusia, pas një rrotullimi në aeroport, arriti të ulej në tokë pa probleme. Videoja e asaj, që mund të kishte qenë një përplasje fatale, ka marrë mbi 1 milion klikime në Youtube.
 
Autori i saj, Miguel Angel, ka postuar me qindra video avionësh online, por thotë se kjo ishte eksperienca më e keqe që kishte pasur ndonjëherë.
 
Sipas ekspertëve, për këtë gabim ka tre shpjegime të mundshme: e para, udhëzimet e dhëna A340-s mund të jenë keqinterpretuar nga kapiteni, e dyta mund të mos i ketë dëgjuar fare, dhe e treta, mbase Kulla e Kontrollit nuk ka lëshuar asnjë udhëzim.
 
Organizmi publik përgjegjës për sigurinë në aeroportet e Spanjës, AENA, njoftoi se do të bëhen verifikimet e nevojshme për të zbardhur rrethanat e këtij episodi, duke siguruar, megjithatë, se nuk ka pasur asnjëherë një rrezik konkret përplasjeje dhe se mes dy avionëve kishte vend të mjaftueshëm kalimi./Top-Channel/

 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)