Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka dënuar mbajtjen në kafaz prej xhami të ish-Presidentit Ilir Meta, gjatë seancave gjyqësore në Gjykatën e Posaçme.

Komentet Berisha i bëri gjatë një bashkëbisedimi me militantët e “Degës 5” në Tiranë, ku fajësoi kryeministrin Edi Rama se ka urdhëruar mbajtjen në kafaz xhami gjatë seancave gjyqësore, të kundërshtarëve të tij politikë.

Berisha e ka konsideruar rikthimin e “kafazit” në sallat e gjyqeve si një praktikë të errët që sipas tij të kujton kohën e diktatorit Enver Hoxha.

Sipas Berishës, ka një kontrast të dukshëm në trajtimin e të burgosurve në Shqipëri, pasi sipas tij, kundërshtarët politikë izolohen ndërkohë që “vrasësit serialë” brenda burgjeve gëzojnë privilegje dhe liri të jashtëzakonshme (referuar një videoje ku shfaqeshin disa të burgosur me në krye Lul Berishën duke festuar me pije alkoolike, lëndë narkotike dhe celularë brenda qelisë).

“E patë ju vetë Ilir Metën, ish-president, ish-kryeministër, ish-kryetar parlamenti. Si çdo njeri tjetër, me plus minuset e veta. Por ka një gjë. Ne u ndamë nga koha e kundërshtarëve në kafaz. Ajo ishte koha e Enver Hoxhës, diktatorit më brutal. Ai i sillte në kafaz kundërshtarët politikë në sallën e gjyqit. E riktheu Edi Rama kafazin në sallën e gjyqit, ndërkohë që vrasës serialë po në atë burg festojnë çdo natë me pije, kokainë dhe orgji të tjera”, tha mes të tjerash Berisha.


Lajmi kryesor:

Zgjedhjet/ Demokratja vë në vështirësi Berishën: Si ka mundësi që nuk ke rivalë? Kreu i PD: Përtojnë të garojnë, kanë edhe frikë nga humbja (VIDEO)