Italia nuk ka mundur t’a kurorëzojë me sukses rrugën mjaft të mirë që realizoi në finalet e kampionatit Europian të futbollit.

Trajneri Çezare Prandeli menjëherë pas humbjes përballë Spanjës nuk është dorëzuar, por ka deklaruar se projekti i nisur me Italinë do të vazhdojë.

“Pavarsisht luhatjeve kohët e fundit që kam pasur për t’ju rikthyer futbollit intensiv, deklaroj me bindje të plotë që nuk do të largohem nga Italia dhe se do të vazhdoj projektin e nisur për ta përfunduar në kampionatin Botëror Brazil 2014” citon tekniku që më pas ndalet te finalja e humbur.

“Fakti që humbëm me Spanjën nuk do të thotë që ishim të dobët, ekipi ka zhvilluar një kampionat mjaft të mirë dhe për këtë i kam falënderuar. Spanja e interpretoi më mirë ndeshjen dhe arriti të shënojë katër gola. Mendoj që intensiteti i lartë i ndeshjeve na ka penalizuar shumë fizikisht” me këto fjalë e përfundon konferencën Prandeli.

(d.b/shqiptarja.com)