RROGOZHINE - Arrestohet ish-anëtari i bandës së Yzberishtit, Ilir Avdillari, i cili kishte dalë nga burgu me leje javore dhe nuk ishte kthyer. Sipas policisë, Ilir Avdillari u kap mëngjesin e hershëm të ditës së djeshme, në afërsi të Rrogozhinës, ku kishte kërkuar ndihmë që të rrinte një natë.

Kishte trokitur në derën e një të panjohuri. Kishte marrë me vete nipin e tij 10 vjeç dhe kishte larguar nga Tirana. Duke iu fshehur policisë dhe kur e ka zënë nata, ka trokitur në detën e shtëpisë së një anëtari të komunitetit rom, Ahmet Aliu, 50 vjeç. I dehur, me nipin e vogël të uritur dhe që e zinte gjumi në këmbë, Avdillari ka trokitur në shtëpinë e një të panjohuri për t'i kërkuar ndihmë.

Por, pa e ditur që policia kishte zbuluar më parë lëvizjet dhe vendin se ku po fshihej së fundi 42-vjeçari, anëtari famëkeq i bandës së Yzberishtit në vitet `97-`98 në Tiranë, i cili ishte dënuar me 22 vjet burg, por të cilit i kishin mbetur ende edhe 3 vjet e 4 muaj për të shlyer.

Avdillarit i ishte dhënë një leje prej 7 ditësh, por ai nuk është kthyer në burg pas skadimit të afatit. I arratisuri ishte shpallur në kërkim nga policia si person me rrezikshmëri të lartë, që ka ikur nga vendi i vuajtjes së dënimit. Prej dy ditësh ai duhej të ishte kthyer në burg, por megjithatë është arritur të kapet në një kohë të shkurtër.

MIKPRITËSI

“A1 Report” ka mundur të intervistojë direkt në linjë telefonike të zotin e shtëpisë, Ahmet Aliu. Ai ka shpjeguar hapur detaje të hollësishme mbi ngjarjen, duke dëshmuar, se ka qenë ora 9 e gjysmë ose 10 pa një çerek e mbrëmjes së të premtes, kur fillimisht një djalë i vogël, rreth 10 vjeç, i ka trokitur në derë dhe i ka kërkuar bukë dhe strehë për një natë.

“Dua bukë” - më tha i vogli. Unë e futa të voglin. Pas të voglit erdhi edhe i madhi, daja a xhaja, ku ta di unë kush ishte. Ishte në gjendje të dehur në shoqërinë e nipit, një fëmijë. Ai nuk më tregoi se kush ishte, thjesht më kërkoi ndihmë dhe një strehë, pasi, siç më thanë, ‘kishin mbetur rrugës’.

Më bëri përshtypje një njeri në atë gjendje, më erdhi keq dhe u hapa derën. I futa në korridor, duke bërë muhabet. U nxora një kafe. U bëra dy kokrra vezë. Çunin e zinte gjumi në këmbë. E vumë në gjumë. “I madhi ndenji dhe pak me mua”, ka rrëfyer Aliu për A1 Report.

Pyetjes së gazetares së A1 Report se “ndërkohë a patët dyshime”, Aliu iu përgjigj: E pyeta nga je. Më tha: “Jam nga Tirana”. Më pyeti, a e njeh filanin? Patëm të njohur, e pastaj arixhi ai arixhi unë (romë), domthënë kurbat, nga komuniteti rom dhe kështu ia hapa derën”, ka thënë më tej Aliu.

Por, pak pasi ka kaluar ora 23.00, në shtëpinë e Aliut ka mbërritur policia, e cila ka vënë në pranga të kërkuarin, Ilir Avdillari. “Djali i vogël ishte në gjumë kur erdhi policia. Kur më hyri policia në shtëpi u çmenda, thashë çfarë ka ndodhur, po më vrasin në shtëpi, s’dija asgjë", shtoi Aliu, duke thënë, se "policinë e kam ende në shtëpi" (dje paradite).

DREJTORI I BURGUT

Menjëherë pasi Avdillari nuk u kthye nga leja njëhavore, është pezulluar nga detyra Drejtori i Burgut të Fushë-Krujës, Ligor Prifti. Por, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm, ai është shkarkuar nga detyra që mbante, për lejen e dhënë ndaj të dënuarit me 22 vjet.

Menjëherë ka reaguar vetë Prifti, duke thënë për mediat pas pezullimit të tij, se të dënuarit Ilir Avdillari i është dhënë leje për disa ditë dhe ai duhej të kthehej dje në qeli. “Po, është e vërtetë që i është dhënë leje të dënuarit Ilir Avdillari.

Duhej të kthehej dje (të enjten), por ai nuk u kthye në qeli”, – tha drejtori duke shtuar se "leja nuk është dhënë me iniciativën time personale". Sipas Priftit, "leja nuk jepet nga drejtori, por miratohet nga një komision i veçantë, që vendos për lejet e të dënuarve".

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 12.05.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)