TIRANË - Marrja e lekëve nga pacientët ka çuar në pranga mjekun anestezist-Reanimator tek Skaneri  në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë, Ilir Broqi bashkë me sekserin e tij, Arben Doda.

Arrestimet janë bërë gjatë mëngjesin e sotëm nga ana e efektivëve të sektorit të luftës ndaj korrupsionit në Policinë e Tiranës.

Burime nga policia kanë bërë të ditur se, operacioni kundër korrupsionit në mjekësi, po vijon me kontrolle në banesa, shoqërime të tjera dhe identifikimin e llogarive bankare.

POLICISË E TIRANËS: HETIM NJE MUJOR
Policia e Shtetit ka bërë të ditur se, nga efektivët e seksionit kundër Korruspionit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, pas një hetimi një mujor, në kuadër të Operacionit policor “Skaner 2013”, në ambjentet e Qëndrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë, u bë arrestimi në flagrancë të Ilir Broqi, 41 vjeç, me detyrë shef i sektorit të kirurgjisë pranë QSUT-së, banues në Tiranë, pasi dyshohet se ka konsumuar veprën penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.  
 
Arben Doda, 48 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se ka konsumuar veprën penale  “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Burime zyrtare nga QSUT bëjnë të ditur se Ilir Broqi aktualisht kryente detyrën si mjek anestezist-Reanimator tek Skaneri në  Qendrën e Frekuencës radiologjike të QSUT, ndërkohë detyrën e shefit të Kirurgjisë në QSUT e mbante para disa vitesh. Aktualisht Shefi i Kirurgjisë së QSUT-së është Ylli Ziçishti.

HETIMET E POLICISË PAS DENONCIMEVE
Nga hetimet e kryera në kuadër të këtij proçedimi penal ka rezultuar se shtetasi Arben Doda, ish-punonjës i sigurimit të QSUT-së u kërkonte dhe u merrte në emër të doktor Ilir Broqaj qytetarëve të ndryshëm shuma nga 15.000 lekë të reja deri me 17.000 lekë të reja në funksion të kryerjes së skanerit të përgjithshëm në Qëndrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë.

Materialet në ngarkim të këtyre shtetasve do ti kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësorë Tiranë për veprime të mëtejshme.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)