TIRANE- Policia e Kukësit ka arrestuar nënë e bijë sepse në bashkëpunim me njëra-tjetrën ushtronin prostitucion. Në prangat e policisë ranë gruaja 41 vjeçare me iniciale D.C, si edhe vajza e saj 20 vjeçe me iniciale A.C. Sipas policisë lokale, nënë e bijë ushtronin prostitucion në një lokal në një nga lagjet e qytetit të Kukësit, lokal të cilin kishin disa kohë që e kishin marrë me qira.

Hetimi për vënien në pranga të tyre zgjati për rreth dy muaj. Sipas dëshmisë së tyre, shumat që ato arrinin të merrnin nga klientët e tyre varionin nga 10 deri në 20 mijë lekë të vjetra për 41 vjeçaren, ndërsa për vajzën e saj më të re në moshë, shuma arrinte deri në 30 mijë lekë të vjetra. Lidhur me këtë ngjarje, procedim në gjendje të lirë ka nisur edhe për 36 vjeçare me iniciale N.P, e cila akuzohet po për ushtrim prostitucioni. Mësohet se 36 vjeçarja ishte punëtore në lokalin e marrë me qira nga dy të arrestuarat, e cila teksa është marrë në pyetje nga efektivët e policisë ka mohuar akuzat e ngritura ndaj saj.

Dëshmitë e nënë e bijë
Pas arrestimit të tyre dhe të marra në pyetje nga grupi hetimor, nënë e bijë nuk kanë mundur të mohojnë akuzat e ngritura ndaj tyre. Të dyja u kapën në flagrancë pas një hetimi dy mujor nga efektivët e policisë në Kukës. Në deklaratën e tyre, nënë e bijë janë shprehur se kanë pak kohë që ushtronin prostitucion në lokalin që kishin marrë me qira, por pa dhënë shumë detaje për këtë gjë. Po ashtu, teksa janë marrë në pyetje, 41 vjeçarja ka thënë se shumat që ato arrinin të merrnin nga klientët e tyre varionin nga 10 deri në 30 mijë lekë të vjetra.

“Shumat që unë merrja nga puna që bëja arrinte vlerën e 20 mijë lekëve të vjetra. Por kishte raste që merrja edhe 10 mijë lekë të vjetra. Ndërsa vajza ime me qenë se është më e re se unë, arrinte të merrte nga klientët një shumë deri në 30 mijë lekë të vjetra dhe në shumë raste të rralla 20 mijë lekë të vjetra”, ka thënë në deklaratën e saj 41 vjeçarja me iniciale D.C. Po të njëjtën gjë mësohet se ka shprehur edhe vajza e saj, 20 vjeçarja me iniciale A.C e cila ka shtuar më tej se për to, “fitimi ishte më i lartë kur ndanin të njëjtët klientë”. E pyetur se sa kohë kishte që ushtronte prostitucion dhe me sa klientë shkonte në ditë, 20 vjeçarja ka refuzuar të përgjigjet.

Dëshmia e N.P
36 vjeçarja e cila tashmë është duke u ndjekur në gjendje të lirë nga policia për ushtrim prostitucioni, mësohet se ishte punëtore në lokalin e 41 vjeçares. Gjatë marrjes së saj në pyetje, gruaja me iniciale N.P nuk e ka pranuar akuzën e ngritur ndaj saj. ajo ka shtuar më tej, se: “Kam disa muaj që punoj në lokal dhe nuk kam vënë re lëvizje të dyshimta nga ana e D-së dhe A-së”.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 30 Shtator 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)