TIRANE- Gjykata e Tiranës ka urdhëruar prokurorinë të hetojë për “Shpërdorim detyre” ish-shefin e komisariatit nr.3 Alfred Nomani dhe ish-shefin e Krimeve, pranë këtij komisariati Hajri Kushe, tashmë drejtues i sektorit të antidrogës në policinë e Tiranës. Vendimi për hetimin e dy zyrtarëve të policisë, vjen menjëherë pas pushimit të hetimeve nga ana e prokurorisë, në të cilën kishte referuar material kallëzues avokati Bardhi Koçi.

Ky i fundit në muajin Maj të këtij viti është arrestuar brenda në zyrën e tij me urdhër shefit të komisariatit nr.3 Alfred Nomani dhe shefit të krimeve pranë këtij komisariati Hajri Kushe. Akuza për të cilën është arrestuar avokati Koçi, mësohet se ka qënë “Mashtrimi”.

Ndërkohë që nuk ka kaluar shumë orë pas arrestimit në flagrancë, prokuroria e Tiranës ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të avokatit Koçi, duke e cilësuar operacionin e policisë si të paligjshëm.

Fill pas këtij vendimi, avokati Bardhi Koçi, e ka quajtur operacionin e komisariatit nr.3 si tendencies dhe të motivuar politikisht, duke i shkaktuar atij një dëm moral dhe financiar. Nisur nga kjo situatë, avokati Koçi i është drejtuar me një kallëzim penal prokurorisë së Tiranës, duke akuzuar dy zyrtarët e lartë të komisariatit nr.3 për “Shpërdorim detyre”.

Mirëpo ky kallëzim është pushuar nga prokurori Naim Tota, me pretendimin se nuk është konsumuar një vepër penale e tillë nga zyrtarët e policisë. Çështja ka shkuar në dyert e gjykatës së Tiranës, ku pas disa seancash gjyqësore, trupi gjykues ka vendosur të rikthejë sërisht dosjen në prokurori, për të vijuar hetimet ndaj ish-shefit të komisariatit nr.3 Alfred Nomani dhe ish-shefit të këtij komisariati Hajri Kushe.

Shkrimi u publikua sot (01.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)