TIRANE- Nxjerja e urdhërit nga ana e ministrit të Brendshëm për arrestimin e drejtuesve të mjeteve që nuk kanë patentë apo që kanë konsumuar alkool, ka sjellë tejmbushjen e qelive të paraburgimit 302 dhe 313 në Tiranë. Kjo ”fryrje” e këtyre dy burgjeve ka sjellë që disa prej të arrestuarve të mbahen në dhomat e shoqërimit të komisariateve në Tiranë, duke bërë që tashmë këto ambjente të marrin funksionet e një paraburgimi, dhe jo shoqërimi.

Sipas zyrtarëve të Drejtorisë së Burgjeve të cilët nuk pranojnë të prononcohen me emër, situata është përkeqësur, fill pas vendimit që policia ka marrë për arrestimin e drejtuesve të mjeteve, të cilët kapen pa patenta apo që kanë konsumuar alkool.

Çdo ditë ka dhjetëra arrestime për të tilla raste, ndërkohë që edhe gjykata e Tiranës, kohët e fundit një pjesë të të arrestuarve ka vendosur caktimin e masave të sigurisë ”arrest në burg”, duke bërë që personi i arrestuar ti kalojë menjëherë shërbimeve të policisë së burgjeve.

Mirëpo për shkak të mos pasjes së vendeve të lira në qelitë e dy institucioneve të paraburgimit, është vendosur që pjesë e këtyre personave të rikthehen në dhomat e shoqërimit në komisariatet e Tiranës. Nuk dihet se si do të lehtësohet kjo situatë, por sipas burimeve pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, momentalisht dhomat në paraburgimin 313 dhe 302 në Tiranë kanë nga 6 deri në 8 persona, duke e bërë të pamundur qëndrimin në ambjente të mbyllura dhe të ngushta.

Shkrimi u publikua sot (01.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)