Nga kjo e premte (4 shtator) në orën 17:00, qeveria dhe grupi i PS do të nisin me takimet e Pranisë Besnike. Këto takime, tha Rama në mbledhjen e grupit dhe ministrave, do të jenë konsistente dhe jo në kuadër të propagandës.

Në të nuk do të ketë kamera dhe të gjithë do të duhet të dëgjojnë qytetarët e të mbajnë shënim problemet e tyre, si dhe t’i ndjekin në rrugë institucionale duke shmangur çdo informalizëm.

“Prania Besnike vendos rregull të thjeshtë, qytetari duhet ta dijë ku dhe kur mund ta gjejë përfaqësuesin e vet, me një kalendar të publikuar më parë. Dhe e premtja e kësaj jave në orën 17:00 është fillimi i një procesi të Pranisë në të gjithë territorin e republikës, s’do të ndalet asnjë të premte. Çdo të premte në orën 17:00 të gjithë ne që jemi këtu do jemi aty ku e kërkon Prania Besnike. Prania Besnike nuk është mbledhje. Prania Besnike është dëgjim me radhë, ballë për ballë, tek për tek, me zë të ulët. Kush do të qajë hallin e tij, vjen në atë orë, në atë vend dhe pret momentin kur do të ulet në tryezë përballë përfaqësuesve të tij dhe do të marrë shënim çfarë robi i Zotit po flet, me respekt dhe Prania Besnike nuk pranon kamera. Prania Besnike pranon fotografi në fillim të takimit vetëm me miratimin e atyre që janë të pranishëm dhe pa ekspozuar fytyrat e tyre. Prania Bensike refuzon përkatësinë partiake. Nëse ti do veshët tanë veshët tanë janë aty në orën 17:00, ditën e premte. Prania Besnike nuk pranon numër telefoni dhe dhënien e shpresës se dikush do të ndihmojë jashtë rregullave. Prania Besnike kërkon që deputetët të mos marrin më në telefon asnjë drejtor, por me shkrim të dërgojnë hallin e qytetarit në destinacion institucional. Duhet të disiplinojë institucionet, jo të kthejë deputetët në sekserë të halleve të njerëzve, por me shkrim të dërgojnë hallin e qytetarit në institucion. Nuk shkohet për të thënë sa bukur po punon qeveria po ku po dështon ajo. Nuk shkohet për të treguar sa janë rritur të ardhura, apo për të marrë vota, as për të punësuar njerëz, as për të rekrutuar patronizhistët e ardhshëm, por për të marrë hallin dhe referuar te institucionet. Dhe merret përsipër të ndiqet rruga e hallit. Në Praninë Besnike shkohet për të parë se ku qeveria po dështon të dëgjojë dhe të kuptojë. Te Prania Besnike shkohet për të marrë hallin dhe referuar te institucionet. Ndërkohë merret përsipër të ndiqet edhe në emër të qytetarit, rruga e hallit. Këtu ka një vijë të panegociueshme nëse duam që të ketë sukses, nëse duam që Besa të mos mbetet fjala e madhe e grabitur nga përmbajtja, nëse duam që Pasqyra të funksionojë jo si shfaqja e fundit e PS në hapësirën publike, por të gjitha këto t’i japin një fuqi të re shumicës sonë. Prania Besnike nuk bën pushtetin, nuk ndërmjetëson favor. Suksesi i Pranisë Besnike do të jetë kur qytetarët të kenë nevojë gjithnjë e më pak për të sepse sistemi do të përgjigjet vetë dhe politika do të jetë antenë dhe jo kanal paralel. Prania Besnike duhet të ketë sekretariatet e saj lidhur me temat kryesore”, tha Rama.


Lajmi kryesor:

Rama: Shteti, 3 plagë që duhen kuruar! Ndërhyrja e deputetëve për punësime të bëhet vepër penale! Me ‘Flamingo Mirror’ publikojmë dokumentet për Sazanin e Zvërnecin