TIRANE- Nisin aplikimet për studimet e ciklit të parë dhe të dytë në të gjitha universitetet e vendit. Ministria e Arsimit ka zbardhur udhëzimin i cili përcakton të gjitha afatet dhe dokumentacionin që duhet të ndjekin studentët aplikues.

“Rektori i institucionit privat të arsimit të lartë organizon, drejton dhe monitoron procesin. Procedurat e aplikimit dhe regjistrimit në programet e studimit të ciklit të parë dhe të ciklit të dytë të studimeve, si dhe transferimi i studimeve, për vitin akademik 2014-2015, në institucionet private të arsimit të lartë, të kryhet deri më datën 27 tetor për ciklin e parë të studimeve dhe brenda datës 17 nëntor për ciklin e dytë të studimeve” thuhet në udhëzimin e MAS.

Sipas këtij të fundit, kandidatët në momentin e regjistrimit duhet të nënshkruajnë një dokument i cili kërkon plotësimin e disa të dhënave. Për regjistrim në universitetet private në ciklin e parë studentët duhet të kenë përfunduar shkollën e mesme dhe kanë rezultuar kalues në provimet e detyruara dhe ato me zgjedhje të Maturës Shtetërore, si dhe janë pajisur me diplomë.

Kandidatët që kanë përfunduar maturën para vitit 2011, nuk duhet të kenë përfunduar domosdoshmërish provimet me zgjedhje. Po kështu kandidatët që kanë përfunduar shkollën para vitit 2006 me rezultate kaluese dhe janë të pajisur me dëftesë. Po kështu të drejtë për regjistrim kanë edhe ata persona të cilët kanë përfunduar studimet jashtë vendit dhe kanë kryer njohjen dhe ekuivalentimin e diplomës në MAS. Kurse kandidatët të cilët aplikojnë për master përveç dokumentacionit të mësipërm duhet të kenë edhe diplomën në një program të ciklit të parë "Bachelor".

Dokumente të tjera të nevojshme për aplikim janë kërkesa drejtuar institucionit për degën ku kandidati do ndjekë studimet, diploma e shkollës së mesme, fotokopje të dokumentit të identifikimit (kartë identiteti ose pasaportë), dokumentin e plotësuar dhe firmosur të parashikuar në shtojcen nr. 1, dy fotografi personale. Kandidatët me kombësi shqiptare nga trojet jashtë kufijve të vendit si, Kosovë, Mal i Zi, Maqedoni, Preshevë, Bujanovc, Medvegje, i nënshtrohen të njëjtave procedura dhe kritere si dhe kandidatët shqiptarë brenda territorit të vendit.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 16 Tetor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)