Sipas INSTAT (https://www.instat.gov.al/media/obrnkdjm/tregtia-e-jashtme-e-mallrave-korrik-2026.pdf), eksportuam 33.7 miliardë lekë mallra në korrik 2026, ose mbi 362 milionë euro, me një shtim vjetor prej 10.6 përqind, ndërsa importet arritën në 86.4 miliardë lekë, ose 930 milionë euro, ose 3.6% më shumë se një vit më parë.
Kjo do të thotë se ritmi i rritjes së eksporteve ka qenë rreth tri herë më i lartë se ai i importeve. Edhe pse deficiti tregtar mbetet i konsiderueshëm, një rritje e eksporteve me një ritëm dukshëm më të shpejtë se importet është një sinjal pozitiv për kapacitetin e ekonomisë sonë, për të gjeneruar të ardhura nga tregjet e huaja.
Eksportet: e ardhmja e vendit
Eksportet nuk janë thjesht një tregues i bilancit tregtar. Ato janë një komponent i rëndësishëm i aktivitetit ekonomik dhe ndikojnë drejtpërdrejt në prodhim, punësim, investime dhe të ardhura për bizneset.
Tabela 1. Eksportet në euro korrik 2024-2026 (sipas kursit mujor të këmbimit)
• Korrik 2024 306.5 milionë euro
• Korrik 2025 322.8 milionë euro
• Korrik 2026 362.2 milionë euro
Kur një kompani shqiptare eksporton një produkt, ajo nuk siguron vetëm të ardhura për veten. Ajo krijon kërkesë për lëndë të para, transport, shërbime logjistike, magazinim, energji dhe fuqi punëtore. Në këtë mënyrë, një kontratë eksporti mund të prodhojë efekte zinxhir në pjesë të tjera të ekonomisë.
Pikërisht për këtë arsye, rritja e eksporteve duhet parë si një prej treguesve të rëndësishëm të konsolidimit të sektorit prodhues shqiptar. Një pjesë e rëndësishme e rritjes së eksporteve në korrik ka ardhur nga materialet e ndërtimit dhe metalet. Ky është një sinjal me rëndësi, sepse tregon se Shqipëria po shfrytëzon kapacitete prodhuese që lidhen me industrinë përpunuese dhe sektorët e lidhur me ndërtimin. Nëse kjo tendencë vazhdon, ajo mund të kontribuojë në rritjen e kapaciteteve industriale, në zgjerimin e investimeve dhe në krijimin e vendeve të punës.
Megjithatë, sfida është që eksporti i lëndëve dhe produkteve me vlerë më të ulët të zëvendësohet gradualisht me produkte më të përpunuara dhe me vlerë të shtuar më të lartë. Sa më shumë përpunim të kryhet brenda vendit, aq më e madhe është vlera që mbetet në ekonominë shqiptare.
Një tjetër faktor i rëndësishëm i rritjes së eksporteve ka qenë grupi i mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë elektrike. Në rastin e energjisë elektrike, Shqipëria ka një avantazh të rëndësishëm për shkak të potencialit të saj hidroenergjetik dhe zhvillimit të burimeve të tjera të rinovueshme. Kur prodhimi vendas i energjisë tejkalon nevojat e konsumit, eksportimi i saj krijon të ardhura shtesë për ekonominë.
Por këtu duhet bërë edhe një dallim i rëndësishëm: një ekonomi e qëndrueshme nuk mund të mbështetet vetëm në eksportet që varen nga faktorë të jashtëm, si çmimet ndërkombëtare të mineraleve apo kushtet hidrike. Objektivi afatgjatë duhet të jetë rritja e eksporteve të produkteve të përpunuara, të teknologjisë, të shërbimeve dhe të produkteve me vlerë të shtuar.
Shtimi me gati 11 përqind nuk mjafton
Rritja e eksporteve ka edhe një rëndësi makroekonomike. Eksportuesit sjellin në ekonomi të ardhura në valutë, duke rritur hyrjet valutore dhe duke kontribuar në ekuilibrat e sektorit të jashtëm.
Në kushtet kur Shqipëria ka një deficit të lartë tregtar, rritja e eksporteve është një nga mënyrat më të rëndësishme për të ngushtuar gradualisht hendekun ndërmjet mallrave që vendi shet dhe atyre që blen nga jashtë.
Në korrik 2026, diferenca ndërmjet eksporteve prej 33.7 miliardë lekësh dhe importeve prej 86.4 miliardë lekësh tregon se deficiti tregtar mbetet i lartë. Për këtë arsye, një rritje prej 10.6% e eksporteve është pozitive, por nuk është ende e mjaftueshme për të ndryshuar strukturën e deficitit tregtar.
Kjo e bën edhe më të rëndësishme, që ritmi i rritjes së eksporteve të jetë i qëndrueshëm dhe të mos kufizohet vetëm në një muaj. Sfida është që eksportet të rriten në mënyrë të qëndrueshme. Një muaj i mirë nuk mjafton për të deklaruar se ekonomia shqiptare ka hyrë në një cikël të ri eksportues. Për këtë nevojitet një tendencë e qëndrueshme për disa vite.
Kemi nevojë për më shumë kompani eksportuese, më shumë produkte konkurruese dhe më shumë tregje ku këto produkte mund të shiten. Kjo kërkon investime në teknologji, rritje të produktivitetit, fuqi punëtore të kualifikuar, infrastrukturë moderne dhe kosto konkurruese të prodhimit. Po aq e rëndësishme është edhe përmirësimi i logjistikës dhe ulja e kostove të transportit.
Në këtë drejtim, përmirësimi i infrastrukturës rrugore, që po e realizojmë, ka rëndësi të drejtpërdrejtë. Po ashtu ka rëndësi të drejtpërdrejtë përmirësimi i infrastrukturës portuale dhe hekurudhore, për të cilat kemi sfida të mëdha. Një produkt shqiptar mund të jetë konkurrues në fabrikë, por të humbasë avantazhin nëse kostot e transportit deri në tregun e huaj janë të larta.
Një ekonomi më konkurruese jo vetëm përmes eksportit të shërbimeve(turizmit)
Rritja e eksporteve me 10.6% në korrik duhet të shërbejë si një nxitje për një objektiv më ambicioz: kalimin gradual nga një ekonomi që konsumon shumë produkte të importuara drejt një ekonomie që prodhon dhe shet më shumë në tregjet e huaja.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme për Shqipërinë, sepse rritja e eksporteve mund të krijojë një bazë më të qëndrueshme për rritjen ekonomike. Turizmi dhe remitancat sjellin të ardhura të rëndësishme në valutë, por rritja e kapaciteteve prodhuese dhe eksportuese të mallrave dhe shërbimeve të tjera është thelbësore për një ekonomi si e jona, që është nisur nga një bazë shumë e vogël.
Objektivi nuk duhet të jetë vetëm “të eksportojmë më shumë”, por të eksportojmë produkte më konkurruese, më të përpunuara dhe me vlerë të shtuar më të lartë.





Komente
Komento