Edhe pse sektori i bujqësisë është një nga sektorët kryesorë që pritet të jetë 2.6% e rritjes ekonomike për vitin që vjen, me një ndikim të rëndësishëm, buxheti i vënë në dispozicion është në ulje.
Ky shqetësim i ngritur nga deputeti i PS-së Erion Braçe në Komisionin e Ekonomisë mori përgjigje nga ministri i Financave Ervin Mete, që theksoi se po punohet për të rishikuar të gjitha masat mbështetëse në dispozicion të sektorit të bujqësisë.
"Bujqësia dhe ndërtimi dy kryesoret që do sjellin rritjen ekonomike. Mendoni se mjafton buxheti për bujqësinë për tu rritur siç e parashikoni, sepse bujqësia është prej 2 vitesh thuajse pa rritje? A nuk është më e drejtë që këtë sektor prioritar t'a ndihmonim me më shumë buxhet?"- u shpreh Braçe.
"Ndaj mendimin që mbështetja për bujqësisë duhet të rishikohet për të parë efektivitetin e tyre. Mendoj se duhet të shikohen masat mbështetëse për bujqësinë, dhe forma e mbështetjes duhet të rishikohet, në raport me produktet, me cilësinë që ky sektor të marrë mbështetjen e nevojshme. Ne do të bëjmë një ndërhyrje rishikuese të buxhetit në qershor të vitit 2024 dhe bujqësia do të jetë sektori kryesor i rishikimit"- u përgjigj Mete.
Në total për Ministrinë e Bujqësisë për vitin 2024 janë planifikuar fonde në vlerën 140.9 milionë euro nga 155.3 milionë euro të vëna në dispozicion këtë vit, që u rritën me rishikimin e buxhetit.
Ulja e shpenzimeve është bërë në zërin e Zhvillimit Rural që mbështet prodhimet bujqësore, blegtorale, agro-industrinë dhe markat, ku bëjnë pjesë edhe skemat mbështetëse. Ky program për vitin 2024 do të ketë në dispozicion vetëm 72 milionë euro, nga 99.4 milionë euro të parashikuara për këtë vit.
SHPENZIMET E PARASHIKUARA PËR MIN.BUJQËSISË
Projektbuxheti 2024 140,940,681 euro
Akti normativ 2023 155,363,553 euro
Buxheti fillestar 2023 141,609,897 euro
SHPENZIMET PËR ZHVILLIMIN RURAL
Projektbuxheti 2024 72,036,178 euro
Akti normativ 2023 99,470,705 euro
Buxheti fillestar 2023 86,407,814 euro
Deputeti socialist Erion Braçe duke folur në Komisionin e Ekonomisë është ndalur sërish në korrupsionin me pronat, për të cilin thotë se është marramendës dhe nuk po bëhet asgjë për ta ndalur, ndërsa bota ka nisur të taksojë me 2% më të pasurit, duke nënkuptuar aferën e privatizimit të ‘Partizanit’.
“Na duhet një reformë e të ardhurave. Nëse bota foli vjet për një taksë për fitimet mbi kapitalin ne akoma vazhdojmë diskutimet 15% tonë. Nëse bota po flet për një tatim 2% mbi ata që janë më të pasurit mbi elitën e të pasurve, ne nuk kemi kurajo. Nëse bota flet për taksim të pasurisë, të pronës, ne shkaktojmë trazim të të gjithë vendit ku një çështje marramendëse korrupsioni e që ka në thelb pronën nuk na sjellë në vëmendje faktin që nuk tatojmë.
Ore e kuptoni që të jesh pronar i një prone, nuk është turp, turp është ti shmangesh tatimit të asaj prone përmes favoreve që mund të vijnë nga politika fiskale apo përmes abuzimit duke i ikur ligjeve fiskale. Kështu do të vazhdojmë? Mburremi për një sektor ndërtimi që rritet e rritet, e rritet dhe e tatojmë nën atë që sektori duhet të paguaj. Na duhet një reformë që duhet të zhvendosim taksat tek ata që kanë pasuri marramendëse jo tek ata që kanë nga punësimi”, tha Braçe.
Një ditë më parë, Braçe tha se afera ‘Partizani’ tregoi evazionin e frikshëm fiskal në ndërtim dhe propozoi se duhet të vendoset TVSH për trojet që blejnë ndërtuesit.
taksat ne shqiperi i paguan biznesi i vogel dhe i mesem. oligarket jane te lidhur me shtetin dhe shmangin taksat
PërgjigjuNe qershor mbaroine mbjelljet o minister serash!!!!
Përgjigju