Deputeti i PD-së Eno Bozdo e shikon me skepticizëm buxhetin e vitit të ardhshëm i cili është i bazuar kryesisht në rritjen ekonomike që do vijë nga turizmi dhe ndërtimi.

I ftuar në emisionin ‘5 Pyetjet nga Babaramo në Report Tv’, sipas Bozdos, as me këtë buxhet nuk jepet zgjidhje për krizën në bujqësi.

“Qeveria ka projektuar rritje ekonomike 4% që është optimiste, por rritje ekonomike bazohet vetëm në rritjen e ndërtimit dhe të turizmit, që janë të brishtë dhe mund të ndikohen. Ta bazosh rritjen ekonomike në këto dy sektor që janë shumë të influencueshëm nga shumë faktorë, është rrezik. Janë lënë mënjanë dy sektorë të tjerë që janë në rënie prej vitesh si bujqësia, që do të thotë se ka më pak prodhim, fshati po braktiste, dhe produktet tona po zëvendësohen me produkte importi.

Ne po na humb prodhimi bujqësor dhe industrial, dhe në krahasim me rajonin jemi keq në konkurrueshmëri, kemi produktivitetin më të ulët në rajon. Rritja e pagave bëhet për shkak të mungesës së fuqisë punëtore. Ky buxhet bazohet në premisën që edhe turizmi edhe ndërtimi do të shkëlqejë, dhe nuk mbështet prodhimin bujqësor dhe industrial. Nuk është buxhet me këmbë në tokë dhe është shumë i brishtë”, tha Bozdo.

Ndërsa eksperti i ekonomisë Fatos Çoçoli tha se buxheti parashikon investime më të larta dhe mbështetje për pensionistët.

“Investimet janë 1.8 miliardë euro, janë më shumë për rrugët e hapura, nuk ka ndonjë kantier të ri. Do të ketë buxhet për pensionet rreth 104 milionë euro, për pagat në shtet. Pjesën më të madhe ta marrë ministria e Shëndetësisë”, tha Çoçoli.

Por buxheti i pensioneve përplasi deputetin e PD me ekspertët për skemën e bonuseve mujore të 2026-ës. 

Bozdo: Çfarë janë 100 milionë euro që shkojnë për pensionet? Janë ato që jepen si bonus në fundvit, që tashmë do ta japë çdo muaj.

Babaramo: Ai tha do ta japë..

Bozdo: Nuk parashikohet më bonus në buxhet në fundvit. Rritja mesatare me këtë bonus është 10 mijë lekë shtesë për çdo pensionistë. Pra jepet ky bonus dhe s’ka shpërblim për fundvit.

“Deri tani nuk ka bonus për vitin 2026, ministri ka deklaruar se nëse do të rriten të ardhurat si këtë vit do të jepet një shpërblim fundviti. Nëse flasim që bonusi do të ndahet për 12 muajit që vijnë nuk na del hesapi për vitet”, tha gazetari Bardh Sejdarasi.

Ndërsa, deputeti i PD-së tha se do të kërkojnë në seancën e së enjtes përsëri futjen e minimumit jetik.

“Ne do të amendojmë buxhetin dhe do të kërkojmë minimumin jetik prej 200 euro, para të domosdoshme për të ruajtur dinjitetin e qytetarëve”, tha Bozdo.

“Duhet ta kishte futur PD para 13 vitesh, dhe duhet ti kishte rritur pensionet”, tha Sejdarasi.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:19
‘Paqja fiskale është autostradë për pastrimin e parave’, deputeti i PD përplaset me ekspertët: Kujt i falen 2 mld dollarë?

 

Projektligji “Për fshirjen e detyrimeve tatimore dhe doganor”, nga i cili do të përfitojnë 202 mijë subjekte, dhe preken 2.1 miliardë euro borxhe të papaguara nga PD konsiderohet si rrugë për pastrim parash.

Po të njëjtin qëndrim kanë edhe për projektligjin “Për Marrëveshjen e Paqes Fiskale”, ku përfitues do të jenë bizneset e mëdha, me të ardhura bruto mbi 14 milionë lekë. Këto biznese mund të kërkojnë të lidhin një marrëveshje me administratën tatimore, për të përfituar lehtësime fiskale. Kjo marrëveshje nuk shkon më shumë se 3 vjet. Mbi fitimin e deklaruar të një biznesi këtë vit, do të shtohet një marzh 18% në 2026-ën, dhe çdo fitim që kalon pragun prej 18% do të tatohet me 5%.

“Minimalisht sektori i ndërtimit që është me risk të lartë duhet të përjashtohet nga marrëveshja e Paqes Fiskale. Po ashtu lejohet të korrigjohen pasqyrat financiare dhe të rriten deklarimet. Kjo është autostradë e pastrimit të parave dhe nuk i hyn gjemb në këmbë askujt. Kemi kërkuar 3 mijë bizneset që përfitojnë më shumë nxirri more bëjë publike”, tha Bozdo.

“Listën nuk e lejon ligji i procedurave tatimore” tha Sejdarasi.

“Populli do të dijë kush përfitojnë, kujt i janë falur 2 miliardë dollarë”, tha Bozdo.

“Rreziku për pastrimin e parave qëndron, por duhet parë sesi do ta menaxhojë administrata tatimore”, tha Çoçoli

“FMN dhe KE kanë rëndë dakord me skemën”, tha Sejdarasi

Letrën e kam këtu të FMN nuk është dakord ajo ta thotë në letër rrezikun e pastrimit të parave”, tha Bozdo.