Promovimi i librit “Loja, shembja e qiellit” i shkrimtarit Bashkim Shehu është zhvilluar dje në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar nga shtëpia botuese “Toena”. Autori është takuar me studiues, lexues të shumtë dhe shkrimtarë që i kanë dhënë vlerësime të mira për librin. Presidentja e “Toena”-s, Irena Toçi, u shpreh se romani është ndërtuar mbi një strukturë të veçantë, ku thelbi historik dhe ngjarjet e trilluara janë përshkruar me një përgjegjësi të madhe historike. Shkrimtari dhe politikani Preç Zogaj u shpreh se romani ka trajtuar temën e kujtesës që lidhet me fatin e vetë shkrimtarit të dënuar në burgjet komuniste, pas vetëvrasjes të babait të tij Mehmet Shehu dhe përndjekjes së familjes nga diktatori Enver Hoxha.

“Duke e ditur se cili ka qenë fati ynë, shpresat tona, çoroditja në post-diktaturë dhe hakmarrja, lind pyetja pse e shkruan shkrimtari një subjekt të tillë? Unë jam dakord që të shkruhen historitë e diktaturës, por shpesh ato kanë krijuar klishe në letërsi, ndërsa Bashkim Shehu u shmanget këtyre klisheve dhe na sjell një roman me një nënvizim të dukshëm për të marrë hakun e të vdekurve”, tha Zogaj. Sipas Zogaj, askush tjetër veç letërsisë nuk mund ta kryej këtë mision.

“Romani i Bashkim Shehut është risi në letrat shqipe, risi në mënyrën e rrëfimit, ku shquhet për teknikën e ritregimit të një mënyre donkishoteske, duke u zhveshur nga gjërat e tepërta dhe duke u veshur me elementë të rinj”, tha Zogaj ndërsa më tej shpjegoi se pse ky është roman i palimpsestit. “Ka disa shtresa. Shehu bën edhe një fragment me një përmbledhje nga libri ia At Zef Pëllumbit “Rrno me tregue” dhe mbivendos rrëfimet. Ai me këtë krijon një imazh më të plotë të tablosë dhe bën edhe montazhierin, edhe regjisorin. Shehu ruan natyrën e prozës strukturaliste, plazmon lëndën me personazhet, ambientin me paranojat e luftës së klasave”, tha Zogaj duke i mëshuar stilit të autorit dhe cilësisë së veprës.

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)