Preç Zogaj: Hijet e superkomisionit

Preç Zogaj: Hijet e superkomisionit

Kuvend

Në politikë veprojnë ligjësi kundërthënëse. Ndodh shpesh që sa më shumë të kërkosh t’i fshehesh qëllimet, aq më shumë i shfaq ato.

Nga kërcënimet me ton kundër “Republikës së Prokurorëve” në muajin dhjetor të vitit të shkuar deri te Rrezoluta e pare, Rrezoluta e dytë dhe Vendimi për ngritjen e superkomisionit parlamentar dy ditë më parë, kryeministri Rama dhe të tijtë, duke u gjendur në ciklonin e reagimeve popullore, kanë bërë kujdes të evitojnë shprehjet e gjuhës ku dhëmb dhëmbi, domethënë të kundërvënies ndaj SPAK-ut. Në të kundërtën, si të donin të mbulonin me grim një dregzë në ballë, po përsërisin papushim se SPAK nuk preket. A thua se kjo është diçka fakultative: po të duan e prekin, por nuk e kanë ndërmend!

Çështjet që liston vendimi për ngritjen e superkomisonit janë në tagrin e punës normale të komisioneve të përhershme të Kuvendit. Të cilët superkomisoni i sheh nga lart, i dublon, i eklipson. Gjithnjë nëse do të plotësohet e funksionojë me mendjen e atyre që e kanë konceptuar.

Superkomisioni nuk ka asgjë të përbashkët me komisionet e posaçme për reforma të caktuara gjithëpërfshirese, që janë ngritur herë pas herë në Kuvendin e Shqipërisë. Siç ka qenë, fjala vjen, komisioni për reformën në drejtësi, komisioni për reformën administrative, apo komisionet për reformën zgjedhore. Jo, nuk shihet të ketë një çeshtje madhore të veçantë të kësaj natyre që të përligjë ngritjen e tij. Nuk shihet të ketë një reformë konkrete të adresuar, të cilën ta sponsorizojnë me impenjim të drejtpërdrejtë partnerët amerikanë dhe europianë, siç ishte Ligji për Dekriminalizimin apo Reforma në Drejtësi. Rekomandimet e BE-së për Shqipërinë i përgjigjen një dinamike të përparimit hap pas hapi të vendit në rrugën e integrimit. Fare mirë ato mund e duhet të trajtohen në korrnizën e komisionit të integrimit europian, të komisionit të ligjeve e tjerë, sipas fushave.

Superkomisioni ngrihet në vitin e fundit të legjislaturës kur partitë fillojnë e zbresin në fushatë dhe kur nismat bipartizane kalojnë në parim në plan të dytë.

Mandati i superkomisionit me prerogativat e një miniasambleje ligjvënëse të pavotuar si të tillë, shtrihet përtej legjislaturës në vazhdim, një gjë që nuk e kemi ndeshur ndonjeherë.
Në lidhjen e tyre këto elementë “të çuditshëm”, këto hije, kërkojnë t’u përcjellin prokurorëve dhe gjyqtarëve guximtarë, por edhe qytetarëve që dëshërojnë një nisje të re të demokracisë, mesazhin arrogant të vazhdimësisë” të kastës së vjetër, të stërkonsumuar poltikisht dhe të tronditur nga hetimet penale. Mesazhi është: “Ne do të jemi këtu, në krye, për vite e vite. Me fjalë të tjera të promovojnë pandryshueshmërin, të dekurajojnë partitë dhe elektoratin antiestablishment.

Në këto kushte, në verisonin e plotësimit dhe fuksionimit me deputetë të opozitës, superkomisioni është parasëgjithash makiazhi bipartizan që kryeministri dëshëron t’i bëjë qeverisjes së damkosur nga korrupsioni kapilar në epilogun e mandatit të tij të tretë në krye të qeverisjes. Njeherësh, është figura e Gogolit që kasta kërkon t’u tundë prokurorëve dhe gjykatësve që po çojnë ligin në tokën deri dje të pashkelur të sferave të larta.

E gjithë kjo duke futur në algoritmin e nismës hallin e kreut të Rithemelimit, Sali Berisha, armiqësinë e tij kundër SPAK. Dhe duke shpresuar se ish kryeministri do ta shohë të leverdishme ta mbeshtësë, në mos jo që në krye te herës, përgjatë rrugës. Në mos për të ndaluar e trembur SPAK, që mbetet një kockë e fortë me mbështetje amerikane, për të zbutur a shbërë me shumicë të cilësuar leqe ligjore të rrezikshme. Siç është përshembull dispozita e shpërdorimit të detyrës për të cilën po hetohet zoti Berisha. Shpërdorimi i detyrës si vepër penale është në shënjestër. Për këtë është ngritur edhe alarmi i rremë se “zyrtarët nuk po firmosin”, se “puna në institucione është bllokuar”. Pikërisht për të ligjëruar shpërdorimin e detyrës.

Kjo është Rrezoluta.

Ky është Komisioni.

Një ofertë këmbëngulëse drejtuar Rithemelimit pikë së pari. Por edhe partive të tjera opozitare.

Pa grupet opozitare superkomisoni është i vdekur.

Në fakt Rama me të tijtë janë të sinqertë. E dinë çfarë ofrojnë për palën tjetër mes rreshtave dhe përtej fjalëve të bukura. Ofrojnë atë që duan për vete. Ata janë të kërcënuar për vete nga dispozita e shpërdorimit të detyrës. Më së paku. Pra kanë hallin e tyre. A ka garanci më të madhe se kjo për të kuptuar sa seriozisht e kanë?
Të gjithë e kanë marrë vesh se ku fle lepuri me supërkomisonin. Edhe partnerët. Edhe Berisha. Ai i kupton dhe i dallon shumë mirë sinjalet në eter të pasardhësit të tij në krye të qeverisë për të shpëtuar sëbashku, për të fituar së bashku. Por ka mbyllur veshët përkundrejt këtyre sirenave. E ka denoncuar vendimin.

Vetëdija për çfarë ka bërë e frenon ndoshta të shpëtojë gjithë një bandë për të shpëtuar veten dhe të tjerë si vetja. Nuk është as i sgurt se mund t’ja dalin. Ka forca madhore që skenë që nuk lejojnë kthimin prapa, nuk lejojnë të marrë ujë pandëshkueshmëria në veprim. Pra mbështetja eventuale për Komisionin duke ua lenë, fjala vjen, inisiativën deputetëve të bashkimit në diversitet mund t’i shkojmë me dëm. Për rrjedhim më turp.

Emergjencë e opozitës sot është organizimi rreth një projekti për fitoren, duke berë sakrificat e duhura dhe duke ndjekur zërat e arsyeshëm. Sirenat e Ramës nuk i vlejnë për asgjë. Përzierja e ujërave me qeverinë në orën e llogaridhënies së qeverisë para zgjedhësve do të ishte naivitet dhe vetvrasje për opozitën. Të shohim a do të qendrojnë deri në fund të gjithë. Në të vërtetë, në pikën ku ka mbërritur, Sali Berisha, po të jetë i pafajshëm, duhet ta zhvillojë betejën për akuzën që i është berë aty ku është vendi i betejave ligjore: në sallën e gjyqit. Jashtë saj as Berisha, as Rithemelimi që drejton nuk fitojnë asgjë.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?