TIRANË - Nisma “Ta pastrojmë Shqipërinë në Një Ditë” ka përfshirë jo vetëm bashkinë, por edhe prefekturën e Tiranës. Kjo e fundit ka ngritur sot një shtab rajonal dhe një plan pune, për të koordinuar punën para dhe gjatë aksionit të pastrimit, që do të zhvillohet ditën e premte në 22 nëntor.

Gjatë një tryeze të mbledhur sot, thirrur nga prefekti i qarkut Tiranë, Sadri Vorpsi, morën pjesë përfaqësues të pushtetit vendor, nga bashkitë Tiranë, Kamëz dhe Vorë, të 16 komunave dhe 11 njësive minibashkiake, përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe të shoqërisë civile.
 
“Është hera e parë që ky aksion shkon përtej nismave lokale dhe aksioneve modeste, të ndërmarra nga shoqëria civile. Çdo ditë, ne përballemi me ndotjen e qyteteve dhe komunave ku jetojnë njerëz dhe të gjithë ndihemi të pafuqishëm për të ndërmarrë hapa të mëdhenj, por të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se nëse bashkohemi mund të bëjmë ndryshimin e madh” – theksoi në fjalën e tij prefekti Vorpsi.
 
Sipas tij, asnjë shoqëri nuk civilizohet nëse nuk ka një ambient të pastër. “Mjedisi ynë, qyteti në të cilin jetojmë dhe punojmë është pasqyrimi i qëndrimeve dhe pritshmërive tona si shoqëri” – theksoi Vorpsi.
 
Kësaj ai i ka bashkangjitur konstatimin se shqiptarët e treguan dëshirën e tyre për të pasur një mjedis të shëndetshëm, kur u angazhuan në rastin e mbetjeve kimike, përtej organizimeve politike.

Projekti “Ta Pastrojmë Shqipërinë në Një Ditë” është iniciuar nga Shoqëria Civile dhe mbështetet e përkrahet nga Qeveria e Shqipërisë dhe një sërë organizmash ndërkombëtare.

Kjo nismë ka filluar si një iniciativë globale dhe për herë të parë synohet që të zhvillohet edhe në Shqipëri.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)