Ministri i Jashtëm kubanez, Bruno Rodriguez në një postim në platformën X ka deklaruar se Kuba nuk ka marrë kompensim për shërbimet e sigurisë që i ka ofruar ndonjë vendi tjetër.

Ai shtoi se Kuba ka të drejtë të importojë karburant nga çdo vend që është i gatshëm ta eksportojë atë. Rodriguez akuzoi Shtetet e Bashkuara për shfaqjen e sjelljes kriminale që kërcënon paqen botërore.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha sot se Kuba duhet të arrijë një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara, duke paralajmëruar se vendi nuk do të marrë më naftë apo para.

“Kuba nuk merr, dhe as nuk ka marrë ndonjëherë, kompensim monetar ose material për shërbimet e sigurisë të ofruara për ndonjë vend. Ndryshe nga SHBA-të, ne nuk kemi një qeveri që angazhohet në aktivitete mercenare, shantazh ose shtrëngim ushtarak kundër shteteve të tjera.

Si çdo vend, Kuba ka të drejtën absolute për të importuar karburant nga ato tregje që janë të gatshme ta eksportojnë atë dhe që ushtrojnë të drejtën e tyre për të zhvilluar marrëdhëniet e tyre tregtare pa ndërhyrje ose nënshtrim ndaj masave të njëanshme shtrënguese të vendosura nga SHBA-të.

Ligji dhe drejtësia janë në anën e Kubës. SHBA me sjellje kriminale dhe të pakontrolluar kërcënon paqen dhe sigurinë, jo vetëm në Kubë dhe në këtë hemisferë, por në të gjithë botën”, shkruan ai.


Lajmi kryesor:

Trump paralajmëron Kubën: Ju duhet të bëni një marrëveshje me ne para se të jetë vonë! S'ka më para dhe naftë nga Venezuela