TIRANE- Menjëherë pas deklaratave të forta nga Amerika të Prel Pjetrushit, ka reaguar ish-Oficeri i Policisë së Shtetit Sokol Koçiu, i cili pohon personalisht nuk është takuar dhe nuk ka komunikuar asnjëherë me shtetasin Pjetrushi. Koçiu sqaron se deklaratat e tij janë tërësisht të pabaza dhe se sa për akuzat që bën në lidhjet televizive, i kërkon një debat tjetër televiziv ku sipas Koçiut, të dyja palët të përballen direkt me pretendimet e tyre. “Unë këtë person nuk e njoh fare dhe se kam takuar asnjëherë. Tani ky njeri del dhe më përmend emrin dhe bën akuza të rënda.

E ftoj që në çdo moment të përballet me mua, për ato që thotë. Ai nga Amerika me Skype dhe unë në studjon e televizionit. Bujrum, të pranojë e të flasë. Unë të them dhe ato që kam për çështjen e vrasjes së Zylyftarit”-ka pohuar Sokol Koçiu. Më tej ky i fundit shton se në deklaratat e dhëna në një emision investigativ, nuk ka shtrembëruar asnjë ngjarje, por ka thënë të vërtetën, ashtu siç ka ndodhur. Koçiu nënvizon se në vitin 1998 Prel Pjetrushi ka qënë i shpallur në kërkim kombëtar nga Interpoli, për akuza të rënda kundër personit. “Fshirja e emrit nga lista e personave të kërkuar dhe futja e tij në polici, ka prapavijë politike, dhe unë personalisht e di se kush nga ministrant e asaj kohe e ka bërë një gjë të tillë”-shprehet Koçiu.

Zoti Koçiu, emri juaj është përmendur nga Prel Pjetrushi, duke ju akuzuar si anëtar i bandës së Admir Tafilit. A keni ju ndonjë koment për këto deklarata?
Prel Pjetrushin nuk e kam takuar dhe as kam komunikuar ndonjerë me këtë njeri. Nuk e di si ka marrë guximin dhe më ka përmendur emrin në trasmetimin televiziv. Këtë njeri unë e ftoj që të rilidhet sërisht me “Skype” në televizionin tuaj dhe unë do jem i gatshëm të debatoj nga studio, për çfarë akuze apo paqartësi që Pjetrushi ka. Unë jam i gatshëm të debatoj dhe me dokumenta konkrete, nëse mundësohet një gjë e tillë. I them Prel Pjetrushit, të rilidhet me “Skype” dhe të ballafaqohet me mua, Sokol Koçiun, meqënëse më përmendi dhe emrin.

Pjetrushi ju akuzoi si anëtar të bandës së Tafilajve, duke bërë një lidhje që për një periudhë kohe ju keni qëndruar në burg me Genci Tafilin, vllain e Admir Tafilit?
Meqënëse pretendon se ka shumë prova se unë jam anëtar i bandës së Tafilajve, le ti thotë, mos lëshojë fjalë në erë. Ndaj ju them, që me këtë njeri duhet të ballafaqohem direkt, në mënyrë që ta mësojë dhe ai se kush është Prel Pjetrushi, nëse nuk e ka mësuar këtë gjë për veten e tij. Ju them vetëm kaq, që gjatë kohës kur kam shërbyer në Policinë e Shtetit, kujtoj që ky njeri në vitin 1998 ishte në kërkim ndërkombëtar për akuza kundër personit, por të urrojë ministrin që i fshiu emrin. Emri i tij është fshirë nga një ministër i asaj kohe nga lista e të kërkuarve dhe më pas njeriu që kërkohej nga policia, u bë shef krimesh në policinë e Shkodrës. Unë e di dhe emrin e ministrit që urdhëroi fshirjen e emrit të tij, po kam dëshirë tia them Pjetrushit në ballafaqim.

Gjatë kohës së shërbimit tuaj në polici,keni pasur ndonjë konflikt me ish-shefin e Krimeve në Shkodër Prel Pjetrushin?
Jo. Nuk e kam takuar asnjëherë dhe as kam komunikuar ndonjer me të.

Në deklaratën e tij, Pjetrushi ju akuzon se keni organizuar plagosjen e Prel Pjetrushit në Shkodër, duke përdorur Agim Tafilin. Sa e vërtetë është kjo?
Këto janë përralla. Unë s’kam marrë pjesë dhe nuk kam organizuar ansjë plagosje. Se si del në këto pëprfundime vetëm Pjetrushi e di. Këto akuza nuk mund të kundërshtohen me intervista të veçuara, ndaj i them Pjetrushit që të rilidhet dhe njëherë me televizionin tuaj, ku të flasë direkt me personin që e ka akuzuar nga andej ku jeton.

Plagosja e fëmijës,Suedia heton hakmarjen
I mituri Bahri Tafili, nipi i Admir Tafilit vazhdon të qëndrojë në gjëndje kritike për jetën, si pasojë e plagëve të marra me thikë nga personat e ende të paidedntifikuar nga policia Suedeze. Hetimet janë përqëndruar në pistën e hakmarjes, dhe se shumë persona janë marrë në pyetje, me qëllim zbardhjen e emrit të autorit të krimit. Fill pas kësaj ngjarje Admir Tafili dhe Genci Tafili nga burgu akuzuan direkt Prel Pjetrushin, duke e konsideruar këtë të fundit si organizatorin kryesor të hakmarjes në tentativën e vrasjes së nipit të tyre, vetëm 12-vjeçar. Dy Tafilët, i kërkuan Pjetrushit të heqë dorë nga fëmijët dhe gratë, dhe ta zgjidhë çështjen pikërisht me ata të dy. Ndërkohë nga ana tjetër, ka reaguar Pjetrushi duke pohuar se ai nuk kishte lidhje në atentatin në Suedi, duke e pëjashtuar veten publikisht nga kjo ngjarje. Pavarësisht kësaj, Tafilajt janë të bindur se tentative e vrasjes së fëmijës, është organizuar nga Prel Pjetrushi.   


Shkrimi u publikua sot (11.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)