ANGLI - Java e fundit e Premier League dhuroi emocione të forta dhe verdikte dramatike të dielën, duke mbyllur një sezon spektakolar në futbollin anglez.
Pas plot 22 vitesh pritje, Arsenali u shpall kampion i Anglisë, duke rikthyer festën te tifozët londinezë. 'Topçinjtë' e kishin siguruar titullin kampion një javë më parë, por sërish fituan 1-2 në transfertë ndaj Crystal Palace.
Në Champions League sezonin e ardhshëm do të marrin pjesë edhe Manchester City, Manchester United, Aston Villa dhe Liverpool.
Një nga momentet më prekëse të javës ishte humbja 1-2 e Manchester City ndaj Aston Villas, sfidë që shënoi edhe fundin e epokës së Pep Guardiolës te “Qytetarët”. Trajneri spanjoll i dha lamtumirën klubit pas 10 sezonesh të mbushura me trofe dhe emocione. Ndeshja ishte e fundit edhe për Bernardo Silvën dhe John Stones, me tifozët që rezervuan ovacione dhe lot për tre figurat emblemë të këtyre viteve. Edhe Salah e kishte ndeshjen e fundit te Liverpooli, me egjiptianin që u pa i prekur.
Në garën për Evropën, surpriza më e madhe erdhi nga Bournemouthi dhe Sunderlandi, të cilat siguruan për herë të parë në histori pjesëmarrjen në Europa League. Ekipi ku aktivizohet Granit Xhaka triumfoi 2-1 ndaj Chelseat në sfidën e fundit të sezonit.
Ndërkohë, Brighton, pavarësisht humbjes 0-3 ndaj Manchester United, siguroi një vend në Conference League. Tetë klube angleze do të luajnë në Evropë edicionin e ardhshëm, me shanset që janë për nëntë klube nëse Palace fiton Conference League në finalen kundër Vallecanos.
Sezoni rezultoi katastrofik për Chelsean, që e mbylli kampionatin vetëm në vendin e 10-të, duke mbetur jashtë kupave europiane.
Dramë pati edhe në fundin e tabelës. Pas Wolves dhe Burnleyt, skuadra e tretë që u rrëzua nga kategoria ishte West Hami. Londinezët rikthehen në Championship për herë të parë që nga sezoni 2011-12.
Nga ana tjetër, Tottenhami arriti të shpëtojë sezonin në momentet e fundit, falë fitores minimale 1-0 ndaj Evertonit, duke siguruar qëndrimin në elitën e futbollit anglez.
Renditja e sezonit 2025-26:
Komente




