ANGLI - Liverpooli regjistroi sot një fitore spektakolare 5-2 kundër West Hamit në shtëpi, në ndeshjen e vlefshme për raundin e 28-të të elitës së futbollit anglez, duke konfirmuar formën e shkëlqyer të skuadrës së drejtuar nga Arne Slot, me tre fitore radhazi.
Të kuqtë e nisën sfidën me intensitet të lartë dhe kaluan në epërsi që në minutën e 5-të, kur Hugo Ekitike finalizoi saktë pas asistimit të Ryan Gravenberch për 1-0. Dominimi i vendasve vazhdoi edhe më tej dhe në minutën e 24-t kapiteni Virgil van Dijk shënoi me kokë pas një goditjeje këndi, duke dyfishuar shifrat.
Pak para fundit të pjesës së parë, në minutën e 43-të, Alexis Mac Allister realizoi një supergol nga brenda zonës pas asistimit të Ekitikes, duke dërguar Liverpoolin në pushim me epërsi të thellë 3-0.
West Hami reagoi në fillim të pjesës së dytë, kur në minutën e 49-të Tomas Soucek shënoi për 3-1 pas pasimit të Malick Diouf. Megjithatë, vendasit rikthyen shpejt kontrollin dhe në minutën e 70-të Cody Gakpo realizoi për 4-1, pas një asistimi tjetër nga protagonisti i ndeshjes, Ekitike.
Londinezët nuk u dorëzuan dhe në minutën e 75-të Taty Castellanos shënoi me kokë për 4-2, por çdo dilemë mbi fituesin u shua në minutën e 82-të, kur Axel Disasi realizoi autogol, duke vulosur rezultatin përfundimtar 5-2 në favor të Liverpoolit.
Pas tre fitoreve radhazi Liverpooli ngjitet në kuotën e 48 pikëve për vendin e pestë.
Komente





