Manchester United nuk ka të ndalur nën drejtimin e trajnerit Michael Carrick, teksa 'Djajtë e Kuq' kanë mposhtur 3-2 edhe Fulhamin në 'Old Trafford' për raundin e 24-t në Premier League e futbollit anglez. Ndeshja ishte dramatike, duke u vendosur në minutën e katër shtesë. Tre fitore radhazi për United.
Djemtë e Carrick kontrolluan lojën dhe shënuan dy herë. Fillimisht me Casemiron në minutën e 19-të dhe Cunhan në të 56 minutë. Mirëpo Fulham nuk u dorëzua dhe barazoi ndeshjen me golat e Jimenez (85' nga 11 metërshi) dhe Kevin (90+1').
Tifozët vendas shtangën dhe heshtja u vendos në 'Old Trafford', por ekipi i Man. United nuk u dorëzua. Në minutën e katërt shtesë, Bruno Fernandes asistoi për gjigantin slloven Benjamin Sesko, me këtë të fundit që dërgoi në delir 72 mijë tifozët e pranishëm në stadium me golin e tretë dhe të fitores për United.
Pas tre fitoreve radhazi, United me 41 pikë merr vendin e katërt, duke lënë pas Chelsean dhe Liverpoolin.
Komente



