Aktorja dhe këngëtarja Selena Gomez po paditet nga pesë investitorë që mbështetën Wondermind Global, një kompani e fokusuar në shëndetin mendor, të cilën ajo e themeloi së bashku me nënën e saj.

Aksionerët pretendojnë se ylli i muzikës pop nuk i përmbushi premtimet se do të ishte “aktivisht e angazhuar në ndërtimin” e markës, duke thënë se “neglizhenca e saj totale në përmbushjen e detyrave” e ka lënë kompaninë në një “gjendje katastrofike financiare”.

Padia kërkon rikuperimin e rreth 1.2 milionë dollarëve për të cilat pretendohet se janë investuar, si dhe mbulimin e kostove dhe dëmshpërblimeve.

Gomez e themeloi platformën e shëndetit mendor pesë vjet më parë së bashku me nënën e saj, Mandy Teefey, dhe biznesmenen Daniella Pierson. Kjo erdhi pasi këngëtarja foli publikisht për problemet e saj me shëndetin mendor, përfshirë çrregullimin bipolar.

34-vjeçarja është një nga gratë më të ndjekura në botë në rrjetet sociale, me më shumë se 500 milionë ndjekës, dhe ka një pasuri të vlerësuar në afro 1 miliard dollarë. Ajo gjithashtu themeloi kompaninë e kozmetikës Rare Beauty në vitin 2020, e cila është e lidhur ngushtë me emrin dhe imazhin e saj.

Wondermind synonte të ndihmonte njerëzit lidhur me shëndetin mendor, përmes një platforme dixhitale, duke rekrutuar investitorë për të mbështetur sipërmarrjen.

Sipas padisë, themelueset e Wondermind gënjyen mbi situatën e kompanisë, duke thënë se një “gamë e plotë” marrëveshjesh reklamimi, kopertinash me personazhe të famshëm, një aplikacioni dhe nismash të tjera ishin tashmë në proces, si dhe duke premtuar se Gomez do të luante një rol aktiv si drejtuese e marketingut.

Personat që kanë ngritur padinë, përfshijnë Brent Saunders, drejtorin ekzekutiv të kompanisë së kujdesit për shëndetin e syve Bausch + Lomb.

Paditësit pretendojnë se Wondermind nuk arriti të përmbushte “as detyrimet e saj më themelore, siç ishte pagesa në kohë e punonjësve dhe furnitorëve”. Sipas padisë, premtimet përfshirë partneritetet dhe aplikacionin e Wondermind nuk u realizuan kurrë.

Ata thanë se nuk ishin në dijeni të problemeve të kompanisë derisa në shtator 2025 u publikua një artikull investigativ nga revista online The Cut.

Artikulli tregoi se “Wondermind nuk kishte asnjë plan për të ardhmen e saj, aq më pak një plan për të arritur një vlerësim prej disa miliardë dollarësh”, thotë padia.