PRESHEVË - Në prag të festave të Nëntorit, Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, ka zhvilluar një vizitë në Luginën e Preshevës, ku edhe mori pjesë në edicionin e tretë të ekspozitës “PreFoto”, një konkurs ky i mbështetur edhe nga dikasteri që ai drejton.
 
Me këtë vizitë, Veliaj është shndërruar në zyrtarin e parë shqiptar që viziton këtë zonë pas zgjedhjeve të 23 qershorit. Gjatë kësaj vizite, Ministri Veliaj u takua fillimisht me zyrtarët e zonës ku jetojnë shqiptarët në jug të Serbisë, me kryetarët e bashkive të Preshevës, Bujanovcit dhe deputetin shqiptar në Parlamentin serb.
 
INCIDENTI ME POLICINE
Vizita e Veliajt në Preshevë është shoqëruar edhe me një incident për protokollin me policinë serbe në hyrje të kufirit serb. Mësohet se Ministri Veliaj ka refuzuar të takohet me autoritetet serbe, dhe është drejtuar menjëherë tek vendi i Lapidarit dhe zyrat e Komunës së Preshevës për t’u takuar në fillim me liderët shqiptarë aty. Pas kësaj, ai është takuar edhe me zyrtarët serbë përgjegjës për jugun.
 
VELIAJ, NDIHME NE ARSIM DHE ART
Pas këtyre takimeve, ai u shpreh se duhet të bashkëpunojmë më shumë për të ardhmen e fëmijëve tanë, të investohemi më shumë në arsim, të promovojmë më shumë historitë e suksesit të artit dhe të sportit, por dhe të japim mesazhin që një erë e re po fryn në Ballkan ku do të duhet që t’i zgjidhim gjërat nëpërmjet komunikimit. “Nuk është sekret, ne nuk biem dakort për gjërat e të kaluarës, por nuk është misioni ynë të biem dakort për të kaluarën, misioni ynë, i zyrtarëve në Shqipëri, i zyrtarëve në Serbi është që të biem dakort për gjërat e së tashmes dhe së ardhmes”, ka thënë Veliaj ai.
 
VELIAJ TAKIM ME KRYETARIN E KOMUNES
Ndërsa, nga ana e tij, Kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa ka nënvizuar se “e kemi njoftuar dhe me siguri të madhe do të përçojë këtë mesazh në qeverinë shqiptare, në mënyrë që edhe qeveria e Shqipërisë të marrë hapa për përmirësimin e jetës së shqiptarëve këtu”.
 
Ndërkaq, Veliaj zhvilloi edhe një takim me aktivistët dhe përfaqësuesit e organizatave rinore në Preshevë, me të cilët bisedoi për të konkretizuar bashkëpunimin dhe mbështetjen nga Shqipëria. Më vonë ministri shqiptar mori pjesë në ekspozitën ndërkombëtare të fotografisë “PreFest”.
 
erjon veliaj Presheve
(Në foto: Ministri Erjon Veliaj në Preshevë)

Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)