Presidenca e Trump, emërimet e drejtuesve të agjencive të sigurisë dhe zbulimit

Presidenca e Trump, emërimet e drejtuesve të agjencive të sigurisë dhe zbulimit

Tulsi Gabbard, e përzgjedhur nga Trump si drejtore e zbulimit kombëtar

Presidenti i sapozgjedhur Donald Trump, ka përzgjedhur një aleat të hershëm për të drejtuar CIA-n. Ai gjithashtu ka propozuar dikë nga jashtë strukturave tradicionale, për të mbikëqyrur agjencitë amerikane të zbulimit. 

Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jeff Seldin, shumë shikojnë mundësinë e ndryshimeve drastike kur ai të fillojë mandatit e tij të dytë në janar. Emërimi që tërhoqi më shumë vëmendje është ai i ligjvënëses Tulsi Gabbard, e përzgjedhur nga Presidenti i ardhshëm Donald Trump për postin e drejtores së zbulimit kombëtar.

“Këto janë zgjedhjet që kemi: Vota për Kamala Harris-in është votë për Dick Cheney-in dhe është një votë për luftën, më shumë luftëra, ndoshta Luftën e Tretë Botërore dhe luftën bërthamore. Vota për Donald Trump-in është votë për një person që dëshiron t’u japë fund luftërave, jo t’i fillojë ato”, deklaronte ligjvënësja Gabbard.

Ish-demokratja u bë një zë i fortë për fushatën elektorale të ish-Presidentit Trump, duke siguruar mbështetje më të gjerë për axhendën e tij.

“Për këtë arsye jam krenare që mbështes Presidentin Trump dhe për arsyet përse ne, populli, duhet të votojmë për ta rikthyer në Shtëpinë e Bardhë dhe për ta bërë Amerikën sërish madhështore”, u thoshte mbështetësve ligjvënësja Gabbard.

Kur bëri të ditur emërimin e zonjës Gabbard, Presidenti i zgjedhur Trump lëvdoi “shpirtin e saj të patrembur”, duke thënë se ajo do ta sjellë këtë cilësi edhe në detyrën e re. Ajo sjell gjithashtu edhe mbi 20 vite eksperiencë me Gardën Kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Por, edhe një nivel debati... duke i trazuar ligjvënësit republikanë dhe demokratë me një mesazh në mediat sociale, ku kritikët thonë se riprodhoi aludimin e propagandës ruse për financimin e laboratorëve të armëve biologjike në Ukrainë – diçka që zyrtarët amerikanë të zbulimit thonë se nuk është e vërtetë.

Senatori republikan Mitt Romney i quajti në atë kohë komentet e ligjvënëses Gabbard “gënjeshtra tradhtare” – një akuzë që ajo e mohon.

Ligjvënësja Gabbard është kritikuar gjithashtu për takimin me Presidentin sirian Bashar al-Assad, i cili është akuzuar për krime lufte. Por, ajo e mbrojti vizitën duke thënë se nuk mund të tregosh se e dëshiron seriozisht paqen, nëse nuk je i gatshëm të bisedosh me kundërshtarët.

Përzgjedhja e ish-ligjvënësit John Ratcliffe nga Presidenti i ardhshëm Trump për të drejtuar CIA-n, është më tradicionale. Zoti Ratcliffe shërbeu si drejtor i zbulimit kombëtar gjatë mandatit të parë të ish-Presidentit Trump.

Gjatë periudhës kur ishte anëtar i komisionit për zbulimin në Dhomën e Përfaqësuesve, ai i doli në mbrojtje ish-Presidentit Trump:

“A mundet dikush prej jush të thotë se pati ndonjë shkelje gjatë telefonatës që duhet hetuar? Thuajeni me zë të lartë”, u shpreh në atë kohë ligjvënësi Ratcliffe.

Ai vazhdoi të jetë një mbështetës i vendosur i ish-presidentit.

Dhe ish-Presidenti Trump i doli në mbrojtje, kur ligjvënësit e detyruan zotin Ratcliffe të tërhiqej nga procesi i shqyrtimit në vitin 2019 për të marrë postin më të lartë të administratës për çështjet e zbulimit.

“Për mendimin tim, media e trajtoi shumë padrejtësisht. Ai është një person i jashtëzakonshëm”, tha në atë kohë ish-Presidenti Trump.

Zotit Ratcliffe iu dha një shans i dytë dhe ai u premtoi ligjvënësve se do të sigurohet që agjencitë e zbulimit të Shteteve të Bashkuara do t’i ofrojnë vendit “të vërtetën e drejtpërdrejtë”, siç u shpreh ai.

Ai pati edhe përplasje me ligjvënësit për deklasifikimin e të dhënave të zbulimit në lidhje me akuzat për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhje. Ai iu kundërvu ndërhyrjeve nga Irani, Rusia dhe Kina.

“Nuk ka asgjë më të shenjtë në republikën tonë se parimi themelor demokratik – një person, një votë”, deklaroi zoti Ratcliffe.

Presidenti i zgjedhur Trump po ia beson kështu një personi me eksperiencë dhe një politikaneje premtuese, përpjekjet e katër viteve të ardhshme të shërbimeve amerikane të zbulimit. /VOA/

A.Q/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Rama shkarkon zv/ministren e arsimit Nina Guga e zëvendëson me Orjana Osmanin, mësuese në gjimnazin 'Petro Nini'

Rama shkarkon zv/ministren e arsimit Nina Guga e zëvendëson me Orjana Osmanin, mësuese në gjimnazin 'Petro Nini'