TIRANE- Presidenca i rithken Galerisë Kombëtare të Arteve 12 veora arti në pikturë dhe skulpturë. Këto vepra i ishin marrë Fondit të GKA nga Institucioni i Presidentit të Republikës së Shqipërisë për arsye ekspozimi në ambjentet e institucionit në vitin 1981 dhe 2005 dhe nuk ishin kthyer.
 
Aksioni i verifikimit dhe kthimit të veprave në Galerinë Kombëtare të Arteve ka nisur disa javë më parë nga drejtori Artan Shabani dhe stafi i GKA, dhe po kryhet në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse.
 
Ditën e sotme, insitucioni i Presidentit të Republikës i dorëzoi Galerisë Kombëtare të arteve 5 piktura dhe 7 skulptura, ndërsa 2 vepra të tjera mbeten për procedim të mëtejshëm, pasi nga GKA janë 14 vepra të dokumentuara të cilat i janë kaluar Presidencës për ekspozim.
 
Sipas njoftimit të Galerisë Kombëtare të Arteve procesi i verifikimit ishte jo i lehtë, ndërsa theksohet se po vijon punë për verifikimin edhe të dy veprave të tjera.
 
“Këto vepra që mbajnë firmën e artistëve më një njohur të pikturës dhe skulpturës shqiptare janë shpërndarë në disa institucione. Një pjesë e tyre janë ende në gjendje të mirë, disa kanë pësuar dëme të konsiderueshme, ndërsa të tjera kanë humbur. Qëllimi i këtij akti, që po ndërmerret nga Drejtori dhe stafi i Galerisë Kombëtare të Arteve, është që kjo pasuri e çmuar kombëtare të shpëtohet, të restaurohet dhe të ruhet në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve, për t’u bërë e ekspozueshme për publikun”, thuhet në njoftimin e Galerisë Kombëtare të Arteve.
 
VEPRAT E DORËZUARA NGA INSTITUCIONI I PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË JANË:
Vangjush Mio “Peizazh me rëke”
 
Arben Basha “Peizazh industrial”
 
Zef Kolombi “Kostum shkodran”
 
Sali Shijaku “Fshati kufitar”
 
Qirjako Meniko “Mijëra në aksion”
 
Ilir Hoxha “Gjyshja” skulpturë në dru
 
Adnan Bushati “Vajzë” skulpturë në dru
 
Vladimir Topi “Onufri “skulpturë në dru
 
Pirro Dollaku “Rilindasi” skulpturë në gur
 
Vladimir Kaçaku “Komiti” skulpturë në gur
 
Sofokli Koci “Ditë feste”
 
Mihal Rama Vazo dekorative në qeramikë

galeria e arteve
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)