Raporti i Venecias mbi Metën! Presidenca: U manipulua nga mazhoranca, zero shkelje të kushtetutës

TIRANË-   Presidenca ka reaguar pas publikimit të raportit përfundimtar nga Komisioni i Venecias,  ku thuhet se Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta kapërceu kufijtë ligjor me anulimin e zgjedhjeve të 30 Qershorit, por kjo nuk mjafton për ta cilësuar si shkelje të rëndë dhe për ta shkarkuar nga detyra. 

Përmes një deklarate të zëdhënësit të kreut të shtetit, Tedi Blushi, presidenca akuzoi mazhorancën se ka manipuluar raportin paraprak duke keqinformuar shqiptarët pasi sipas tij, aty thuhet qartë se Meta me dekretin për anulimin e zgjedhjeve mbrojti kushtetutën dhe rendin në vend.

Por ana tjetër raporti i miratuar ditën e sotme nga Komisioni i Venecias, ashtu si drafti paraprak për të cilin Blushi u shpreh se u manipulua nga mazhoranca, thonë se presidenti i Republikës tejkaloi komptencat, por është Gjykata Kushtetuese që do vendosë për shkarkimin e tij.

Blushi tha se pëfaqësuesit e mazhorancës sot u detyruan se kërkonin falje se kanë dezinformuar publikun, me qëllim për të shmangur vëmendjen nga problemet e vendit dhe integrimit, duke sulmuar kështu procesin e integrimit të vendit në BE, vetëm pak ditë para dhënies se vendimit për hapjen e negociatave.

Qëndrimi i presidencës në këtë pikë është kontradiktor duke qenë se edhe vetë ajo e njohu draftin paraprak të Komisionit të Venecias ku thuhej se kreu i shtetit ka shkelur kushtetutën, mbi të cilin Meta bëri edhe një reagim zyrtar duke i kërkuar Venecias të reflektojë vendimin sepse rrezikon dialogun për zgjidhjen e krizës në vend.

Deklarata e plotë e Tedi Blushit

Titrat dhe lajmet e gënjeshtërta të shpërndara në panik nga shteti i propagandës, dhe të qarkulluara nga përsheshngrënësit mediatikë të PPP-ve, janë një dëshmi e qartë e dëshpërimit dhe stresit, ku kanë rënë lolot e Rilindjes, me në krye famozin e mashtrimit dhe jo vetëm, Tao Tao, në lidhje me konkluzionet e Opinionit final të Komisionit të Venecias.

Së pari dua t’ju bëj me dije një fakt të pakundërshtueshëm dhe lehtësisht të verifikueshëm, që nxjerr në dritë, para të gjithë shqiptarëve dhe opinionit ndërkombëtar, pacipësinë dhe pafytyrësinë e lolove të Rilindjes dhe famozit Tao Tao, që mashtrojnë dhe ndajnë në media, gjoja në emër të Venecias, raporte dhe konkluzione të pavërteta.

Ky është dokumenti i vetëm zyrtar i publikuar sot nga Këshilli i Europës, në lidhje me konkluzionet e raportit final të Komisionit të Venecias. Ndërsa ky këtu është dokumenti që Tao Tao, lolot dhe përsheshngrënësit mediatikë kanë publikuar dhe shpërndarë me email, sms apo me titra.

Dokumenti Tao Tao përhap lajmin e gënjeshtërt se sipas Venecias, Presidenti nuk mundet të anulojë zgjedhjet.

Ndërkohë sipas deklaratës zyrtare për shtyp të Këshillit të Europës, mbi raportin final të Komisionit të Venecias thuhet si më poshtë: “Sipas opinionit të miratuar sot, i cili ishte kërkuar nga kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruci, Komisioni i Venecias vëren se edhe në rast të gjendjes së jashtëzakonshme, siç është lufta apo katastrofa natyrore, Parlamenti do të duhej të miratojë legjislacion ad hoc (të posaçëm) për të shtyrë zgjedhjet”.

Duke këshilluar kështu Kuvendin të investohet në plotësimin e vakumeve ligjore, siç rekomandojnë ekspertët e Venecias, dhe jo të investohet me të gjithë arsenalin e papagajve për të prodhuar dokumente Tao Tao dhe për të keqinformuar opinionin publik.

Gjithashtu ky dokument thotë si më poshtë, citoj: “Ekspertët theksojnë thirrjet e Presidentit për dialog dhe pritshmërinë e tij se shtyrja e zgjedhjeve mund të kishte kontribuar në një kompromis midis palëve. Ata theksojnë mungesën e një sfide të drejtpërdrejtë të Dekreteve të Presidentit përpara ndonjë gjykate.”

Për më tepër, në këtë deklaratë zyrtare të KiE-së, këshillohet Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, citoj: “të marrë parasysh qëllimet e tjera kushtetuese, siç janë mbajtja e kontrolleve dhe ekuilibrave dhe stabilitetit në vend”.

Diferencat në përmbajtje janë shumë të qarta dhe për këdo që ka dyshimin më të vogël mund t’i adresohet faqes zyrtare në internet të KiE-s për të kuptuar të vërtetën e vetme.

Është kjo arsyeja pse Presidenti i Republikës në mënyrë të vazhdueshme ka bërë thirrje për të ruajtur dhe mbrojtur integritetin e Komisionit të Venecias, nga lolot e shtetit të propagandës.

Gjithashtu ju bëj me dije, se është e provuar me fakte e prova të pakundërshtueshme, por që për etikë nuk mund të bëhen publike, se Tao Tao dhe lolot që e shoqëronin në “Venecia” janë detyruar sot të kërkonin falje me përulje para Komisionit, për keqpërdorimin politik të Draft Opinionit, për shkelje të konfidencialitetit dhe për përdorimin e “Venecias” për të keqinformuar shqiptarët, duke zhvendosur vëmendjen nga problemet e vendit dhe të integrimit.

Duke i lënë në pacipësinë e tyre të gjithë lolot e shëmtuar të shtetit të propagandës dhe përsheshngrënësit e tyre mediatikë që nxitojnë të publikojnë lajme të pakonfirmuara, mbështetura mbi dokumente Tao Tao, ju sqarojmë se:

Opinioni Final i Komisionit të Venecias së shpejti bëhet publik dhe shqiptarët do e lexojë me sytë e tyre, e zeza mbi të bardhë, të vërtetën që Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta ka thënë gjithmonë:

Zero shkelje të kushtetutës! Zero shkelje të kompetencave kushtetuese! Mbrojtje e shkëlqyer e kushtetutës! Mbrojtje e shkëlqyer e konventës europiane të të drejtave të njeriut! Mbrojtje e shkëlqyer e vendimit të gjykatës së strasburgut për të drejtën e zgjedhjes! Mbrojtje e shkëlqyer e detyrimeve ligjore që ka shqipëria nga marrëveshja e stabilizim asocimit me bashkimin europian!

Ju bëj me dije dhe ju konfirmoj me përgjegjësi maksimale se:

Komisioni i Venecias vërtetoi sërish se Presidenti i Republikës nuk ka shkelur Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Komisioni i Venecias gjithashtu ka vlerësuar maksimalisht thirrjet e Presidentit për dialog dhe përpjekjet e tij për arritjen e një kompromisi midis palëve, që ishin të rëndësishme për zgjidhjen e krizës.

Kjo është e vërteta e vetme që në ditët në vazhdim do t’i bëhet e ditur çdo shqiptari!

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë