Presidenti, 27 intelektualë apel
pro Nanos: Plotëson kriteret

Presidenti, 27 intelektualë apel <br />pro Nanos: Plotëson kriteret
TIRANE – Kandidati i vetëshpallur për president, Fatos Nano, ka marrë sot mbështetjen publike të 27 intelektualëve të cilët përmes një thirrje publike drejtuar liderëve të partive kryesore në vend bëjnë apel për zgjedhjen e Nanos në krye të shtetit.

Ai “përfaqëson vlera liberalizuese dhe mirëfilli demokratike në traditën tonë të re politike” lexohet në thirrjen e firmosur nga këta intelektualë, mes të cilëve spikasin emra si Ylli Popa, Moikom Zeqo, Edit Mihali, Ukë Ibrahim Rugova, Thimio Kondi, Kujtim Çashku etj.

“Ne besojmë se Fatos Nano përmbush të gjitha kriteret personale, politike dhe kontekstuale për të qenë një President i denjë e Republikës, duke pasur kapacitetin real për të qenë i pavarur, mbi palët dhe garantues i pavarësisë dhe evoluimit të institucioneve të pavarura për t’i ndarë ata përfundimisht nga loja politike partizane, për t’i bërë ato funksionale dhe në shërbimit të shtetit e jo në shërbim të palëve”, thuhet në apelin e intelektualëve.

Në vijim, teksi i plotë i thirrjes së tyre publike:

Kryetarëve të Partive Parlamentare



Sali Berisha, kryetar i Partisë Demokratike

Edi Rama, kryetar i Partisë Socialiste

Ilir Meta, kryetar i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim

Fatmir Mediu, kryetar i Partisë Republikane

Vangjel Dule, kryetar i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut

Shpëtim Idrizi, kryetar i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet

Gazmend Oketa, kryetar i Komisionit Nismëtar të Partisë Fryma e Re Demokratike



Duke ndjekur me vëmendje debatin për Presidentin e ri të Republikës dhe procesin politik lidhur me këtë zgjedhje jetike për demokracinë dhe institucionet shqiptare jemi të prirur të kontribuojmë në këtë këtë proces duke apeluar ju, deputetë dhe kryetarë të partive parlamentare në Kuvendin e Shqipëri lidhur me kandidaturën e ish- kryeministrit Fatos Nano për President të Republikës.

Duke iu drejtuar juve, kryetarë të nderuar të partive shqiptare të përfaqësuara në parlament dhe më gjerë spektrit politik shqiptare, ne besojmë se kontribuojmë në mbështetjen e një procesi për çështjen e Presidentit që fiton një vlerë të re dhe një përmasë të re emancipuese dhe evolutive në raport me historinë tonë politike të pluralizmit këto 22 vjet.

Ne besojmë se duke mbështetur Fatos Nanon si kandidat për President të Republikës, formësojmë një precedent të ri dhe pozitiv për demokracinë shqiptare: përfilljen e trashëgimisë sonë politike me të gjithë vlerat dhe problemet e saj, por që mund të jetë në shërbim të vendit, institucioneve dhe demokracisë shqiptare shumë më tepër sesa formulat e tjera që prodhojnë një president nga një proces negociues i mbyllur e i kufizuar. Qoftë për moshën e re që ka demokracia shqiptare, qoftë për vështirësitë nëpër të cilat ajo ka kaluar, ky precedent nuk ka qenë i mundur të krijohet deri më tani, ndaj është shans që në fakt më në fund ne kemi mundësi të tërheqim nga tradita jonë më e mirë politike një figurë të tillë si Fatos Nano, për ta inkurajuar në gatishmërinë që ai ka manifestuar publikisht për të kontribuar tashmë në krye të një institucioni të rëndësishëm si Presidenti i Republikës.

Nano, përfaqëson vlera liberalizuese dhe mirëfilli demokratike në traditën tonët re politike, ndoshta si pak kush tjetër, me reformimin e së majtës së vjetër shqiptare, me reformat e para liberalizuese për shoqërinë dhe ekonominë shqiptare dhe me reformat demokratizuese të gjysmës së dytë të viteve ‘90-të; me marrëveshjet historike mes të majtës dhe të djathtës, ku Nano ka qenë protagonist i dorës së parë duke i dhënë vendit hope dhe avancime të rëndësishme demokratike; me zgjedhjet e lira të organizuara në kohën e qeverisjes së tij dhe me rrotacionin paqësor të pushtetit Fatos Nano ka vendosur precedentë por aq të rëndësishëm sa gurët kilometrikë të një demokracie të re; me dorëheqjen e tij nga Kryetar i Partisë Socialiste në 2005, Fatos Nano ka instaluar në jetën politike shqiptare precedentin e përtëritjes së elitave politike në këtë vend duke i dhënë frymëmarrje dhe konkurueshmëri skenës sonë politike.

Për të gjitha këto arsye, duke qenë të bindur se vlerat dhe përvoja politike duhen përfillur dhe konsideruar nga shoqëria, për t’u vënë në shërbim të saj, ne besojmë se demokracia shqiptare ka nevojë të hyjë në një fazë të re, kombi shqiptar të shpëtojë nga vënia e shkelmit trashëgimisë sonë politike duke kaluar nga fazat e përmbysjeve ciklike në fazën e vijimësisë së natyrshme të takuar të vlerat dhe përvoja pozitive e asaj që ne na ndodhur këto 22 vjet në politike.

Ne besojmë se Fatos Nano përmbush të gjitha kriteret personale, politike dhe kontekstuale për të qenë një President i denjë e Republikës, duke pasur kapacitetin real për të qenë i pavarur, mbi palët dhe garantues i pavarësisë dhe evoluimit të institucioneve të pavarura për t’i ndarë ata përfundimisht nga loja politike partizane, për t’i bërë ato funksionale dhe në shërbimit të shtetit e jo në shërbim të palëve.

Duke ju respektuar fort për përfaqësimin të vullnetit të popullit, ne besojmë se Ju dhe trupa jonë parlamentare mund të na japin me kandidaturën e Fatos Nanos një stad të ri të demokracisë shqiptare. Një stad që i përgjigjet aspiratave të shoqërisë për tolerancë, për ekuilibër, për emancipim dhe për evoluim drejt një shoqërie të pjekur demokratike, të denjë për një Shqipëri në BE, edhe më shpejt se thjesht një ambicie të zakonshme e rutinore.

1. Prof.Dr.Ylli Popa - Ish-Kryetar i Akademisë së Shkencave

2. Prof.Dr.Dhori Kule Rektor i Universitetit të Tiranës (UT)

3. Dr.Moikom Zeqo - Studiues, shkrimtar

4. Prof.Dr.Gjergj Sinani - Profesor i fiolozofisë, Universiteti i Tiranës (UT)

5. Prof.Dr.Adrian Civici - President i Universitetit Europian të Tiranës (UET)

6. Prof.Dr.Mihal Tase - Mjek

7.Prof.As. Arben Gjata - Mjek

8. Prof.Dr. Ksenofon Krisafi - Profesor i Drejtësisë, Universiteti Europian i Tiranës (UET)

9. Prof.Dr.Aferdita Onuzi - Etnologe, QSA (Qendra e Studimeve Albanologjike)

10. Prof.Dr.Petrit Malaj - Rektor i Universitetit të Arteve

11. Prof.Dr.Leonard Solis - Ish-Ministër i Shëndetësisë, mjek “HYGEIA Hospital”

12. Luan Bregasi - Sipërmarrës, Business Albania

13. Dr.Zef Preci - QKE (Qendra e Kërkimeve Ekonomike)

14. Artan Santo - Bankier, Drejtor i Bankës Credins

15. Prof.Dr.Bajram Hysa - Dekan i Fakultetit të Mjekësisë

16. Prof.Dr.Shaban Sinani - Studiues, QSA (Qendra e Studimeve Albanologjike)

17. Edit Mihali - Soprano

18. Prof.Dr.Sulo Haderi - Dekan i Fakultetit të Ekonomisë, Universiteti i Tiranës (UT)

19. Prof.Dr.Ali Ahmeti - Kryetari i BDI, Maqedoni

20. Uke Ibrahim Rugova - Deputet i Parlamentit të Kosovës

21. Prof.Dr.Thimio Kondi - Ish-Kryetar i Gjykatës së Lartë

22. Prof.Dr.Kujtim Cashku - Regjisor, Rektor i Akademisë së Filmit, Multimedia MARUBI

23. Prof.Dr.Pirro Milkani - Regjisor

24. Ekrem Bardha - Anëtar i NAAC, Konsull Nderi i Shqipërisë në Michigan (Këshilli Shqiptaro-Amerikan)

25. Dr.Arjan Gjonca - Pedagog, London School of Economics

26. Anton Lulgjuraj - Kryetar i FDI (Forumi Demokratik për Integrim) i shqiptarëve të Malit të Zi

27.Prof.Dr. Bujar Kapexhiu - Mjeshtër i Madh, karikaturist

(im/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Lufta në Ukrainë/ Dezertori rus: Në shkurt 2022 ishim gati për sulm bërthamor

Lufta në Ukrainë/ Dezertori rus: Në shkurt 2022 ishim gati për sulm bërthamor