Donald Trump dhe Trevor Noah
Presidenti amerikan Donald Trump reagoi ashpër ndaj ceremonisë së Grammy Aëards 2026, duke e cilësuar eventin si “më të keqin ndonjëherë” dhe “të papërballueshëm për t’u parë”.
Reagimi erdhi përmes Truth Social, pak pas përfundimit të ceremonisë, ku Trump përqendroi sulmin kryesisht te moderatori Trevor Noah. Ai e krahasoi atë negativisht me Jimmy Kimmel dhe e quajti “dështak total”, duke thënë se duhej të ishte kontrolluar përpara se të bënte shaka të tilla.
Zemërimi i Trump lidhej me një batutë të Noah, teksa po prezantonte çmimin “Kënga e Vitit”, fituar nga Billie Eilish.
"Eshtë një Grammy që çdo artist e dëshiron pothuajse aq sa Trump dëshiron Groenlandën, gjë që bën sens sepse ishulli i Epsteinit është zhdukur, ai ka nevojë për një të ri për të kaluar kohë me Bill Clinton" tha Noah.
Trump e hodhi poshtë deklaratën si të pavërtetë dhe shpifëse, duke thënë se nuk ka qenë kurrë në ishullin e Epstein dhe se një akuzë e tillë nuk është bërë asnjëherë ndaj tij, “as nga mediat kryesore”.
“Nuk mund të flas për Bill-in, por unë nuk kam qenë kurrë në ishullin e Epstein-it, as diku afër dhe deri te kjo deklaratë e rreme dhe shpifje sonte, nuk jam akuzuar kurrë se kam qenë atje, madje as nga mediat e rreme,” tha Trump.
Ai paralajmëroi se do të ndjekë rrugë ligjore, duke thënë se do t’u dërgojë avokatët e tij moderatorit dhe se do të kërkojë prej tij “dëmshpërblime të mëdha”.
Presidenti amerikan përmendi edhe një fitore të mëparshme ligjore kundër gazetarit të ABC-së George Stephanopoulos, duke ironizuar dhe duke sugjeruar se edhe CBS “e di si përfundojnë këto raste”. "CBS është me fat që nuk e ka më këtë ceremoni mbeturinë që ndot valët e transmetimit", tha Trump
Në fund të postimit, Trump paralajmëroi se planifikon të “argëtohet pak” me Trevor Noah.
Reagimi i Trump ka rindezur debatet online për marrëdhënien e tij të kaluar me Epstein, në një kohë kur vëmendja është shtuar nga publikimi i dokumenteve të reja dhe akuzat e vjetra, të cilat Trump i ka mohuar vazhdimisht.
Lajmi kryesor:
Çmimet Grammy 2026, lista e artistëve, albumeve dhe këngëve që rrëmbyen trofetë









