Revista amerikane Newsweek i ka kushtuar një opinion çështjes së paraburgimit prej më shumë se 18 muajsh të Kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Në një opinion të shkruar nga një prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Presidentit të SHBA, Donald Trump, ish i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për Lindjen e Mesme, Jason D. Greenblatt, ai shprehet se mbajtja në paraburgim pa dënim e Veliajt është një fenomen që lidhet me përdorimin e drejtësisë si armë kundër kundërshtarëve politikë; fenomen që, sipas autorit, është vënë re edhe te Presidenti Trump para se të fitonte mandatin e dytë.
Në shkrimin e botuar posacërisht për Newsweek, Jason D. Greenblatt vë në pah se vetë SPAK-u, institucioni i krijuar me mbështetje perëndimore për të luftuar korrupsionin, është sot ai që ngre pikëpyetjet më të mëdha mbi shtetin e së drejtës, me një sistem gjyqësor të mbingarkuar dhe një nga normat më të larta në Evropë të paraburgimeve pa gjykim.
Duke iu referuar vlerësimeve të Komisionit të Venecias dhe DASH, Greenblatt argumenton se rasti Veliaj po dëmton si besueshmërinë në demokracinë e Shqipërisë, ashtu edhe pamjen e saj në sytë e investitorëve të huaj. Ai del në përfundimin se reforma në drejtësi nuk mund të konsiderohet e plotë derisa edhe vetë prokurorët t'i binden të njëjtit ligj që zbatojnë.
***
Më poshtë artikulli i plotë
Në shkurt të vitit 2025, prokurorët shqiptarë arrestuan Erion Veliajn, kryebashkiakun e Tiranës të zgjedhur për tre mandate. Tetëmbëdhjetë muaj më vonë, ai vazhdon të jetë në burg. Ai nuk është shpallur fajtor për asgjë. Masa e tij e paraburgimit thjesht është zgjatur herë pas here, ndërkohë që gjykatat shqiptare vijojnë të debatojnë nëse ajo është apo jo e ligjshme. Kryeqyteti i një vendi aleat të NATO-s po drejtohet pa njeriun që qytetarët e tij e zgjodhën tri herë.
Amerikanët kanë një fjalë për këtë. Ne e quajmë “lawfare”: përdorimin e prokurorëve, gjykatave dhe proceseve ligjore pa fund për të nxjerrë jashtë loje një kundërshtar politik. Kjo praktikë nuk ka qenë kurrë vetëm amerikane. Sot ajo po shfaqet në një vend pas tjetrit dhe Shqipëria ka prodhuar një nga shembujt më të fortë të saj.
Ajo që e bën rastin shqiptar edhe më të veçantë është institucioni që po e bën këtë. Prokurorët që kërkojnë mbajtjen e kryebashkiakut në paraburgim janë pjesë e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e njohur si SPAK, e krijuar në vitin 2016 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian, si një nga shtyllat kryesore të reformës së gjerë në drejtësi. Shqipëria kishte nevojë për atë reformë. Korrupsioni ishte rrënjosur thellë në jetën publike dhe rrjetet kriminale shfrytëzonin dobësinë e institucioneve. Ideja ishte e thjeshtë: një sistem drejtësie më i fortë do të sillte një qeverisje më të pastër, më shumë besim te institucionet, më shumë investime dhe një rrugë më të shpejtë drejt Bashkimit Europian. Por sot, një institucion i ngritur për të mbrojtur shtetin e së drejtës është vetë ai që po ngre pikëpyetjet më të mëdha për respektimin e tij.
Një dekadë më vonë, rezultatet janë të vështira për t’u mbrojtur. Përfaqësuesi Keith Self nga Teksasi, kryetar i Nënkomisionit për Europën në Komisionin e Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, ka vënë në dukje se numri i çështjeve të prapambetura në sistemin gjyqësor është rritur nga rreth 16 mijë në afro 200 mijë. Qytetarëve mund t’u duhet të presin deri në 15 vjet për të marrë një vendim përfundimtar. Më shumë se gjysma e popullsisë së burgjeve është në pritje të gjykimit, një nga nivelet më të larta në Europë. Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut e trajton paraburgimin si një masë të jashtëzakonshme, e cila duhet të justifikohet rast pas rasti: me rrezikun e arratisjes, ndërhyrjes te provat apo dëshmitarët ose rrezikun e kryerjes së veprave të tjera penale. Në Shqipëri, paraburgimi është kthyer në një praktikë të zakonshme.
Kjo është ajo që i ndodhi kryebashkiakut të Tiranës. Komisioni i Venecias i Këshillit të Europës e ka analizuar pikërisht këtë praktikë në shtetet anëtare. Përfundimi i tij ishte i prerë: kur burgosja e kryebashkiakëve përpara gjykimit sjell automatikisht pezullimin ose zëvendësimin e tyre, cenohet prezumimi i pafajësisë, dobësohet pluralizmi politik dhe qytetarëve u hiqet përfaqësimi që kanë zgjedhur me votë. Një urdhër paraburgimi, dhe jo një vendim fajësie, e ka penguar drejtuesin e zgjedhur të qytetit më të madh të Shqipërisë të ushtrojë detyrën që i besuan votuesit.
Kur prokurorët kanë prova të besueshme për shkelje të ligjit, ata duhet t’i hetojnë ato deri në fund, kudo që të çojnë, përfshirë edhe në Bashkinë e Tiranës. Por edhe vetë prokurorët duhet t’i nënshtrohen ligjit. Një luftë kundër korrupsionit e ruan legjitimitetin e saj vetëm për aq kohë sa respekton procesin e rregullt ligjor dhe mbajtja e një njeriu në qeli për kaq gjatë pa një vendim fajësie nuk e përmbush këtë standard. Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka vendosur dy herë në favor të kryebashkiakut: fillimisht duke mbrojtur mandatin e tij të zgjedhur dhe më pas duke urdhëruar një rishqyrtim të ri për të përcaktuar nëse vazhdimi i mbajtjes së tij në burg është vërtet i justifikuar.
Unë e njoh mirë këtë model. Kam kaluar gati një çerek shekulli duke punuar për Presidentin Donald Trump, fillimisht në biznes dhe më pas në Shtëpinë e Bardhë, si i dërguari i tij për Lindjen e Mesme. E kam parë nga brenda rrethit të tij, por edhe nga jashtë, se si prokurorët dhe aleatët e tyre politikë kaluan vite duke u përpjekur të arrinin përmes proceseve ligjore atë që nuk mundën ta arrinin përmes kutisë së votimit. Në fund, ishin votuesit ata që e dhanë verdiktin.
Edhe vende të tjera po përjetojnë versionet e tyre të së njëjtës përplasje. Izraelitët kanë vite që debatojnë për ndjekjen penale të Kryeministrit Benjamin Netanyahu. Argjentinasit po debatojnë sot për hetimet që kanë në shënjestër Presidentin Javier Milei. Francezët e kaluan vitin e fundit duke pritur të mësonin nëse një gjykatë do ta mbante Marine Le Pen jashtë garës presidenciale. Brazilianët po zhvillojnë të njëjtin debat për burgosjen e ish-presidentit Jair Bolsonaro. Secili rast ka faktet e veta dhe secili vend do ta gjykojë vetë çështjen e tij. Por ajo që duhet të na shqetësojë është modeli që po përsëritet: në të gjithë botën demokratike, akuzat penale janë kthyer në armë të betejës politike dhe objektivat e tyre janë kaq shpesh udhëheqësit që zgjedhin votuesit.
Perëndimi ka një arsye të veçantë për të ndjekur me vëmendje atë që po ndodh në Shqipëri: ai ndihmoi në krijimin e SPAK-ut dhe kredibiliteti i tij është i lidhur me këtë institucion. Kur një sistem drejtësie mban një kryebashkiak të zgjedhur në burg muaj pas muaji pa një vendim fajësie, ai u jep argumente të gatshme çdo autokrati që pretendon se retorika e Perëndimit për shtetin e së drejtës zbatohet në mënyrë selektive.
Dëmi nuk është vetëm politik, por edhe ekonomik. Puna ime më ka afruar së fundmi me Ballkanin, ku kam nisur të shqyrtoj me kujdes mundësitë për të kuptuar nëse është një rajon ku klientët e mi duhet të ndihen të sigurt për të bërë biznes. Për këtë arsye, i kushtoj vëmendje mënyrës se si kompanitë e vlerësojnë Shqipërinë. Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për klimën e investimeve për vitin 2025 i njeh Shqipërisë një potencial të gjerë ekonomik, por njëkohësisht vëren se investitorët vazhdojnë ta konsiderojnë një vend të vështirë për të bërë biznes, duke përmendur korrupsionin në sistemin gjyqësor dhe prokurimet publike, zbatimin e dobët të kontratave, pastrimin e parave dhe ndryshimet e vazhdueshme të rregullave. Drejtuesit e kompanive nuk kanë nevojë ta ndjekin nga afër politikën shqiptare. Mjafton një titull lajmi për një kryebashkiak që mbahet prej një viti e gjysmë në burg pa një vendim fajësie për t’ua dhënë mesazhin. Dhe kështu, investimi, partneriteti apo zgjerimi i planifikuar zhvendoset në heshtje drejt një vendi tjetër, më të parashikueshëm. Zyrtarët që firmosin urdhrat e paraburgimit nuk do ta ndiejnë këtë humbje. Do ta ndiejnë shqiptarët e zakonshëm, përmes vendeve të punës që nuk u krijuan kurrë dhe pagave që nuk u paguan kurrë.
Shqipëria nuk ka pse të zgjedhë mes luftës kundër korrupsionit dhe mbrojtjes së shtetit të së drejtës. Vendet që kanë sukses i bëjnë të dyja, sepse njëra varet nga tjetra. Një dekadë më parë, Shqipëria nisi një reformë që synonte t’ua hiqte pushtetin e pakontrolluar të korruptuarve. Sot, kryebashkiaku i kryeqytetit të saj ndodhet në burg, pa një vendim fajësie, sepse ai pushtet nuk u zhduk kurrë. Ai thjesht u zhvendos në zyrën e prokurorit. Shqipëria duhet ta çojë deri në fund atë që reforma synonte të arrinte që në fillim: të bëjë që të gjithë, përfshirë edhe ata që luftojnë korrupsionin, t’i nënshtrohen ligjit.
*Jason D. Greenblatt është avokat, diplomat dhe bashkëpunëtor i vjetër i Presidentit Trump. Në vitin 1997 ai u bashkua me Trump Organization, ku kaloi rreth dy dekada si Zëvendëspresident Ekzekutiv dhe Drejtor i Departamentit Ligjor, duke mbikëqyrur marrëveshje të mëdha pasurish. Në 2017, Presidenti Trump e emëroi Jason D. Greenblatt si të Dërguar të Posaçëm të Shtëpisë së Bardhë për Lindjen e Mesme, post që mbajti deri në largimin e tij në 2019. Në atë rol ishte një nga arkitektët kryesorë të planit "Peace to Prosperity" mes Izraelit dhe Palestinezëve dhe luajti rol kyç në hedhjen e themeleve për Marrëveshjet e Abrahamit (2020), përmes të cilave Izraeli normalizoi marrëdhëniet me Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreinin, Sudanin dhe Marokun. Që nga 2023 është Drejtor i Lartë për Diplomacinë Arabo-Izraelite pranë Jerusalem Center for Security and Foreign Affairs./NewsWeek










Komente
Komento