TIRANË – Ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu deklaroi dje në mbrëmje se nëse Presidenti i ri i Shqipërisë do të zgjidhej me 71 vota dhe pas disa raundesh, kjo do të quhej një shans i humbur për vendin tonë.
I ftuar në emisionin “Zonë e lirë” të gazetarit Arian Çani, tha se Presidenti i dalë nga një proces i tillë do të pranohej nga SHBA, por nuk do të ishte një zgjedhje e mirë.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mbështesin një president që del nga një mbështetje e gjerë votash në Kuvend. Sa për Presidentin nga PD, unë e kuptoj pse Berisha kërkon dikë që t’i besojë, por dhe që mund të ndikojë. Por, presidenti nuk është post në kabinet”, tha kryediplomati amerikan, i cili prej kohësh po bën thirrje për zgjedhjen e Kreut të ri të Shtetit me 84 vota.

Ai është pyetur për disa prej kandidatëve të mundshëm, ndonëse deri më tani procesi zyrtar i propozimit të tyre nuk ka nisur ende.

“Fatos Nano është kandidaturë mbresëlënëse. Mua më kanë informuar se në kohën kur ka qenë kryeministër ai ka qeverisur me bërthamë liberale. Nuk mund të them nëse do jetë ai Presidenti, por ai ka vlerat e një njeriu që i duhet politikës. Dheju siguroj se Fatos Nano po punon jo për 71, por për 84 vota”, tha Arvizu.

Lidhur me emrin e Jozefina Topallit, ambasadori amerikan në Tiranë ka vlerësuar besnikërinë e saj ndaj bindjeve personale dhe politike duke mos ndryshuar asnjëherë profilin si politikane.

“Ajo ka karizëm, por është etiketuar politikisht në një parti. Ndaj nëse kandidon ajo ka një sfidë përpara, sepse duhet të bindë opozitën që të votohet prej saj në Kuvend”, deklaroi ambasadori amerikan.

(aq/shqiptarja.com)