Presidenti Begaj takim në Tropojë për perspektivën e zhvillimit lokal: Zëri i shqiptarëve duhet të dëgjohet kudo

Presidenti Begaj takim në Tropojë për perspektivën e zhvillimit lokal: Zëri i shqiptarëve duhet të dëgjohet kudo

Presidenti Begaj në Tropojë

Presidenti Bajram Begaj në Tropojë diskuton për problemet dhe perspektivën e zhvillimit lokal. Kreu i shtetit u shpreh se zëri i shqiptarëve duhet të dëgjohet kudo ku ata janë, edhe në zonat më të largëta.

“Zëri i shqiptarëve duhet të dëgjohet kudo që ata janë edhe në zonat më të largëta. Askush nuk duhet të ndihet i harruar apo i lënë mënjanë nga institucionet shtetërore, Pushteti vendor duhet gjithashtu të bëjë çmos për t’i ardhur në ndihmë çdo individi, familjeje apo bizneseve që përballen me vështirësitë ekonomike”.

Ky ishte mesazhi i Presidentit të Republikës, Bajram Begaj gjatë vizitës së tij në Tropojë, ku zhvilloi takime me përfaqësuesit e pushtetit vendor dhe komunitetit. 

Gjatë takimit me Kryetarin e Bashkisë Tropojë, Rexhë Byberi, Presidenti Begaj diskutoi lidhur me sfidat dhe vështirësitë me të cilat përballet komuniteti si dhe bashkia. 

“Garantimi i të drejtës së pronës si dhe përditësimi i hartës së pronësisë është një parakusht për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit si dhe nxitjen e sipërmarrjeve në këtë zonë. Duhet të krijojmë mundësitë për të mbështetur të rinjtë të projektojnë të ardhmen e tyre këtu”, u shpreh Presidenti Begaj.

“Sfidat mund të zgjidhen vetëm përmes bashkëpunimit ndërinstitucional. Është e rëndësishme të sigurohet infrastruktura shkollore, të sigurohet shërbimi shëndetësor edhe në zona të largëta, të vazhdohet të investohet në turizëm, duhet patur gjithnjë kujdes që identiteti i zonës të mos humbasë”, nënvizoi Kreu i Shtetit. 

Presidenti Begaj, i shoqëruar nga Zonja e Parë, vizitoi edhe gjimnazin “Asim Vokshi”.

“Takimi me të rinjtë, sidomos në kushtet e shkollës, kur i sheh plot dëshirë për dije e për të krijuar një të ardhme dinjitoze, të jep pafund energji dhe të mbush me shpresë për Shqipërinë e së nesërmes”, theksoi Presidenti Begaj.

Në përfundim të vizitës së tij në Tropojë, Presidenti Begaj vizitoi parkun Kombëtar të Valbonës dhe u takua me përfaqësuesit e biznesit.

“Parku Kombëtar i Luginës së Valbonës është një perlë natyrore që pak nga pak po zbulohet me madhështinë e saj për të apasionuarit e natyrës kudo në botë. Bujtinat mikpritëse që më është dhënë rasti të vizitoj nga afër, janë shembulli më i mirë se përse Tropoja duhet të vazhdojë të fokusohet tek turizmi, veçanërisht në modele të qëndrueshme të zhvillimit të turizmit,” deklaroi Presidenti.

Sigurimi i energjisë, legalizimi i pronës si dhe infrastruktura ishin ndër sfidat që të pranishmit në takim evidentuan si më parësoret e që duhet të marrin një zgjidhje sa më të shpejtë. Në këtë drejtim, Presidenti Begaj i garantoi përfaqësuesit e biznesit se do të përcjellë shqetësimet e tyre aty ku është e nevojshme për të marrë një zgjidhje. Në fund të takimit, Presidenti i falenderoi përfaqësuesit e bizneseve për sakrificat dhe kontributin e tyre në ruajtjen dhe përcimin e vlerave unike të zonës, që po e kthejnë gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve në Tropojë.

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës