Presidenti, Berisha e Rama:
S’ka rezultat dialogu vijon

Presidenti, Berisha e Rama:<br />S’ka rezultat dialogu vijon
Zgjedhja e presidentit të ri të vendit ka ritakuar pas 5 vitesh dy drejtuesit më të lartë të opozitës e mazhorancës, Edi Rama dhe Sali Berisha. Ata kanë mbërritur thuajse korrektë në kryesinë e Kuvendit në orën 20: 35 minuta të shoqëruar nga drejtuesit e grupeve kuvendore Gramoz Ruçi e Astrit Patozi. Pas 90 minutash negociata Rama e Berisha lanë të kuptohet se nuk ka asnjë rezultat konkret, të paktën për votimin e nesërm në Kuvend dhe raundit të dytë presidencial.
Gjatë ditës së djeshme Rama u takua me ambasadorët Sequi dhe Arvizu.

RAMA PAS TAKIMIT: KA BAZA PER DIALOG, NUK DUAM ZAGANJORIN
Kryetari i PS Edi Rama deklaroi pas takimit se PS nuk mund të hyjë në një garë emrash, por duhet të bihet dakord për një president të unitetit kombëtar. Ai tha se lidhur me kandidaturën Zaganjorit, Rama tha se i ka shprehur Berishës mosaprovimin.
“Patëm një shkëmbim të këndvështrimeve. Do bëjmë gjithcka kemi në dorë për ti dhënë shqiptarëve një president me votat e qeverisë dhe të opozitës. Shtruam vijën tonë të qasjes dhe garantuam se qëllimi ynë është ta zgjidhim këtë cështje me dakordësi”, tha Rama.
Sipas tij, tryeza e sotme ishte një vijë e hapur.

"Ne nuk duam një president të PS-së, nuk duam të vendosim njëanshmërisht apo të imponohemi por duam të kontribojmë. Qeveria duhet të na japë mundësinë që të kontribojmë. Ne duhet të biem dakord që kemi detyrimin për t’I dhënë Shqipërisë presidentin e unitetit kombëtar. Në lidhje me kandidaturën e paraqitur nga qeveria përsëritëm qëndrimin e njohur publikisht. Pika e takimit me opozitën nuk mund të ndodhë mbi emrin e kandidatit të paraqitur njëanshmërisht. Kandidatura e Zaganjorit e bën të pamundur bashkëpunimin tonë. Ne qëndrojmë në pozicionin parimor që nuk mund të hyjmë në një garë emrash pa përcaktuar vullnetin për ta zgjidhur me konsensus këtë çështje", tha kryesocialisti Rama.

BERISHA: FOLËM PËR MODALITETET PËR KONSENSUS
Kryeministri Berisha mbrëmë u deklarua i palëkundur nga respektimi i Kushtetutës dhe 3 raundeve që ajo përcakton për zgjedhjen e Presidentit të ri.
“Në këtë takim shpreh qëndrimin dhe vendosmërinë e mazhorancës për një përpjekje për zgjidhje konsensuale të këtij problemi, sic e përcakton Kushtetuta. Mazhoranca ka bërë hapat e saj, ka bërë tërheqjet e veta dhe paraqitjen e saj nga një fushë jashtë interesave të ngushta partiake", tha kryeministri.
Ai deklaroi se procesi vijon të jetë i hapur.
"Besojmë se edhe opozita do të bëjë hapat e saj. Nuk them se ne erdhëm këtu me një rezultat konkret. Në këtë takim u shprehën qëndrimet dhe pozicionet si dhe u laboruan modalitetet e përpjekjeve për konsensualitet", deklaroi ai.

Asnjë nga palët nuk komentoi kandidaturën e vetëofruar të ish-kryeministrit Fatos Nano, megjithë insistimin e gazetarëve

DIPLOMATET TAKOJNE RAMEN PAK ORE PERPARA TAKIMIT
Vihet në lëvizje sërish diplomacia perëndimore në Tiranë pak orë para takimit të shumëpërfolur Rama-Berisha në kryesinë e Kuvendit. Rreth mesditës në bar kafen pranë selisë së Partisë Socialiste, kreu Edi Rama është takuar me ambasadorin e BE në Tiranë, Ettore Sequi, ndërsa në orët e para të pasdites me ambasadorin amerikan Aleksandër Arvizu.

Takimi me Sequin është jozyrtar për shkak se u zhvillua jashtë selisë se PS ku Sequi dhe Rama po konsumonin një kafe të lirë mes tyre, por sigurisht me sfond politik. Siç shihet edhe nga pamjet që Shqiptarja.com ka mundur të sigurojë, lideri i PS po konsumon një cigare gjatë bisedës me ambasadorin, pavarësisht nga fakti se ndodhet në një ambient publik të mbyllur, gjë që ligji shqiptar nuk e lejon.

Nuk dihet se cfarë biseduan ata mes tyre, por cështja e Presidentit dhe takimi sot me Berishën duhet të kenë qenë kryetema e bisedës. Zoti Rama është parë nga gazetarët të mbante edhe shënime gjatë bisedës me zotin Sequi.

Takimi mes Ramës dhe ambasadorit të Bashkimit Europian në Tiranë përfundoi rreth orës 12:20 dhe të dy personalitetet u larguan pa dhënë asnjë deklaratë.

Ndërsa me ambasadorin amerikan, Rama është takuar në një nga ambientet e Coin Center, mësoi Shqiptarja.com.
(aq/im/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Lufta në Ukrainë/ Dezertori rus: Në shkurt 2022 ishim gati për sulm bërthamor

Lufta në Ukrainë/ Dezertori rus: Në shkurt 2022 ishim gati për sulm bërthamor