Presidenti, Berisha "hakmerret"
i heq Topit fjalën e lamtumirës

Presidenti, Berisha i heq Topit fjalën e lamtumirës">
Fundi i mandatit presidencial për Bamir Topin ka qënë plot me surpriza aspak të këndshme dhe që i kanë kaluar limitet me të cilat mund të përballet një kryetar shteti në kohë paqeje.

Kështu, ndërkohë që Presidenti në detyrë Topi qëndronte në mes të detit në tragetin e prishur pa asnjë ndihmë nga qeveria, në Tiranë, nga selia kryeministrore është bërë i ditur vendimi i marrë në mbledhjen e javës së kaluar të qeverisë për ndryshimin e ceremonialit të shtetit që parasheh dhe dorëzimin e detyrës së Presidentit, në përfundim të mandatit.

Gazeta “Shqiptarja.com”mëson ekskluzivisht se janë prekur pikërisht pikat që kanë të bëjnë me këtë ceremonial të dorëzimit të detyrës nga Presidenti në detyrë Topi tek Presidenti i ri i zgjedhur Bujar Nishani, i cili pritet të hyjë në selinë presidenciale në ushtrim të detyrave të tij kushtetuese më 24 korrik, vetëm pas pak ditësh.

Mësohet se në ceremonialin e shtetit i është hequr fjala e lamtumirës kreut në detyrë të shtetit, dhe zhvendos ceremoninë e marrjes së detyrës nga Nishani nga Pallati i Brigadave në Presidencë, si dhe heq parakalimin e Topit dhe pasardhësit të tij përpara truprojeve të nderit.

SHKRIMI I PLOTE

Nga JAKIN MARENA

Mësohet se janë prekur pikërisht pikat që kanë të bëjnë me këtë ceremonial të dorëzimit të detyrës nga Presidenti në detyrë Topi tek Presidenti i ri i zgjedhur Bujar Nishani, i cili pritet të hyjë në selinë presidenciale në ushtrim të detyrave të tij kushtetuese më 24 korrik, vetëm pas pak ditësh. Kështu si pikë e parë me vendim qeveria presidentit në detyrë i është hequr e drejta e përshëndetjes në ditën e dorëzimit të detyrës, duke e kthyer atë thjeshtë në një dekor të kësaj dite ceremoniale, pavarësisht se ka qenë në krye të shtetit për pesë vite me radhë dhe si rregull dhe një drejtor i thjeshtë dikasteri i thotë dy fjalë të paktën për stafin me të cilin ka punuar tërë këto vite. Një hakmarrje e egër kjo e Berishës, i cili dhe në ceremoninë e lamtumirës si President nuk do që t'ia dëgjojë zërin Topit. Në ceremonial, pas vendimit të qeverisë është përcaktuar qartë se do të flasë vetëm presidenti i zgjedhur Bujar Nishani, duke i hequr në këtë mënyrë fjalën e lamtumirës presidentit në largim, Topi.

Në ceremonialin e shtetit, të para ditës së djeshme ishte përcaktuar që pas ekzekutimit të Himnit Kombëtar, që shoqërohet me 21 të shtëna topi artilerie me interval 3 sekonda nga njëra tjetra dhe ku flamuri kombëtar qëndron gjatë gjithë kohës i ngritur, drejtori i Protokollit të Shtetit fton ish Presidentin të bëjë përshendetjen e rastit dhe në fund të saj, në mënyrë simbolike, i dorëzon Presidentit të ri Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Vetëm pas këtij akti solemn,

Drejtori i Protokollit të Shtetit fton Presidentin e zgjedhur të bëjë përshëndetjen e rastit. Ndërkohë që gjithë ceremonia e "ndërrimit të stafetave" mes presidentit në largim Topi dhe atij të zgjedhur Nishani nuk do të bëhet në Pallatin e Brigadave por në Presidencë, pasi me ndryshimin e ligjit të ceremonialit kështu është përcaktuar. Në cermonialin e shkuar thuhet saktësisht se pas Kuvendit, ceremonia presidenciale vijon në Pallatin e Brigadave. Të ftuarit mbërrijne në aty deri në orën 19.15 dhe zënë vendet e caktuara për ta. Tribuna A rezervohet për miqtë e huaj dhe titullarët e përfaqësive diplomatike, kurse tribuna B, për personalitetet e larta shtetërore dhe miqtë vendas. Ndërsa në orën 19.25 mbërrin dhe zë vend në krye të shkallëve të Pallatit të Brigadave, ish Presidenti i Republikës. Në orën 19.30 mbërrin Presidenti i Republikës, makina e të cilit shoqërohet nga truproja e nderit në katër motorçikleta ceremoniale. Ku zhvillohej ceremonia e nderit sipas skemës përkatëse dhe Presidenti drejtohet e zë vend në krye të shkallëve të Pallatit të Brigadave, në të djathtë të ish-Presidentit. Në të dyja anët e shkallëve vendoseshin oficerë të Gardës së Republikës me uniforma ceremoniale.

Ende mbetet mister se ku do të instalohen të gjithë të ftuarit, që nga ambasadorët apo ndoshta dhe ndonjë homolog fqinj e deri tek vendasit, tashmë që me ndryshimin e ri të ceremonialit të shtetit, ceremonia e marrjes së detyrës së Presidentit nga Nishani do të zhvillohet në ambientet e ngushta të Presidencës. Ndërkohë ndryshimi i ri i ceremonialit ka prekur dhe parakalimin e kreut të ri të shtetit para truprojës së nderit dhe nderimit të flamurit kombëtar. Në ndryshim nga ceremoniali i deritanishëm, ku ishtë përcaktuar qartë në pikën 15 se zhvillohet parakalimi traditcional i truprojës së nderit dhe pas kësaj, të pranishmit ftoheshin në Pallatin e Brigadave për të marë pjesë në pritjen zyrtare. Duke parë në detaje gjithë ndryshimet e ligjit të ceremonialit të shtetit, pikërisht në kapitullin që bën fjalë për ceremoninë e dorëzimit të detyrës nga presidenti në largim dhe marrjen e saj nga Presidenti i ri, ndryshme këto që nuk kanë dalë në faqen zyrtare të Kryeministrisë, vihet re fare lehtë se hartuesit janë kujdesur për t'i hequr fjalën Bamir Topit, që ka marrëdhënie aspak të mira me Berishën, por dhe për të krijuar lehtësira për presidentin e ri Bujar Nishani.

(jm/shqiptarja.com)


  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria skualifikohet nga Euro 2024, a ju pëlqeu loja e Kombëtares



×

Lajmi i fundit

Tatimi për profesionet e lira, ‘Kushtetuesja’ jep sot vendimin final

Tatimi për profesionet e lira, ‘Kushtetuesja’ jep sot vendimin final