Presidenti amerikan Donald Trump mund të shtyjë vizitën e planifikuar në Pekin për takimin me presidentin kinez Xi Jinping, duke e lidhur zhvillimin e samitit me një ndihmë të mundshme kineze për sigurinë në Ngushticën e Hormuzit.
Trump pritej të ishte në Pekin nga 31 marsi deri më 2 prill për një samit me Xi Jinping që konsiderohej i rëndësishëm për të ruajtur dhe stabilizuar armëpushimin tregtar mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, të arritur në tetor pas përplasjes së fortë për tarifat dhe teknologjinë të nisur nga administrata amerikane. Por tani presidenti amerikan po kërcënon se mund ta anulojë udhëtimin.
Në një intervistë për “Financial Times”, president Donald Trump tha se vizita “mund të shtyhet”. Intervista telefonike me gazetën britanike ishte e shkurtër, por erdhi pas kërkesës së fortë të Shtëpisë së Bardhë ndaj Kinës, Japonisë, Koresë së Jugut, Britanisë së Madhe dhe Francës për të dërguar anije luftarake në Ngushticën e Hormuzit për të patrulluar zonën, e cila është mbyllur nga Irani si reagim ndaj sulmit amerikan.
“Është thjesht e nevojshme që vendet që përfitojnë nga Ngushtica e Hormuzit të ndihmojnë për ta mbajtur të sigurt për lundrim”, tha president Donald Trump. Ai theksoi se Europa dhe Kina varen nga furnizimet me naftë nga Gjiri Persik, ndryshe nga Shtetet e Bashkuara që janë më pak të varura.
President Donald Trump shtoi se një përgjigje negative nga aleatët europianë “do të ishte shumë negative për të ardhmen e NATO-s”. Ndërsa për Kinën ai tha: “Mendoj se duhet të ndihmojë sepse merr 90 për qind të naftës nga kjo ngushticë dhe do të ishte shumë vonë të presim një përgjigje deri në samit, dy javë janë shumë”. Për këtë arsye, ai la të kuptohet se takimi mund të shtyhet.
Kjo deklaratë vjen ndërsa sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, po zhvillon bisedime në Paris me zëvendëskryeministrin kinez He Lifeng për agjendën e samitit mes dy liderëve.
Nga Pekini reagimi zyrtar ishte i matur. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme tha se diplomacia mes krerëve të shteteve ka një rol të pazëvendësueshëm në drejtimin e marrëdhënieve mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara dhe se komunikimi mes palëve vazhdon.
Por mediat shtetërore kineze reaguan shumë më ashpër. Gazeta “Global Times”, që është e lidhur me Partinë Komuniste, shkroi se Shtetet e Bashkuara tani duan të ndajnë me të tjerët rrezikun e një lufte që e kanë nisur vetë dhe për të cilën, sipas saj, nuk dinë si ta përfundojnë.
“Mbushja e një rruge detare me anije luftarake nga vende të ndryshme nuk krijon siguri, por rrezikon të ndezë tensione të reja. Nëse edhe një anije e armatosur goditet, pasojat mund të dalin jashtë çdo kontrolli”, shkroi gazeta.
Qëndrimi zyrtar i Pekinit mbetet ai tradicional: mosndërhyrje në çështjet e brendshme të shteteve të tjera dhe refuzim për t’u përfshirë në një konflikt që Kina nuk e ka kërkuar, si ai mes Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit. Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi deklaroi ditët e fundit se “një mijë anije nuk mund të arrijnë atë që mund të arrihet në tryezën e negociatave”.
Takimi mes president Donald Trump dhe Xi Jinping mbetet tani i pasigurt. Presidenti amerikan shpesh ndryshon strategjinë dhe përdor presionin dhe kërcënimet edhe në fazat përfundimtare të negociatave, gjë që shqetëson veçanërisht udhëheqjen kineze.
Pas sulmit amerikan ndaj Iranit më 28 shkurt, agjencia shtetërore kineze “Xinhua” kritikoi ashpër vendimin e Uashingtonit për të bombarduar ndërsa negociatat ishin ende në zhvillim. Në një editorial thuhej se kur Amerika bombardojnë gjatë bisedimeve, është rendi ndërkombëtar që paguan çmimin.
Sipas “Xinhua”, logjika amerikane është e qartë dhe shqetësuese: pranoni kushtet tona ose do të përballeni me shkatërrim. Në editorial thuhej gjithashtu se për Uashingtonin negociatat nuk janë përpjekje të sinqerta për të zgjidhur mosmarrëveshjet, por një formë ultimatumesh që fshihen pas gjuhës diplomatike.
Megjithatë, edhe Kina ka interes që marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të mbeten stabile. Të dy vendet po përpiqen të ruajnë armëpushimin tregtar të arritur në tetor 2025 gjatë një samiti në Korenë e Jugut.
Ministri i Jashtëm Wang Yi ka theksuar se takimet mes liderëve janë thelbësore për të ruajtur stabilitetin dhe për të përcaktuar drejtimin e marrëdhënieve mes dy superfuqive rivale.
Data e samitit në Pekin, nga 31 marsi deri më 2 prill, deri tani është shpallur vetëm nga Shtëpia e Bardhë. Pekini zakonisht konfirmon këto takime vetëm pak para zhvillimit të tyre, pasi përgatiten me kujdes protokolli dhe agjenda politike.
Burime kineze kanë bërë të ditur se janë të shqetësuara nga përgatitjet e vonuara nga ana amerikane dhe nga kohëzgjatja shumë e shkurtër e vizitës. Wang Yi ka kërkuar që Uashingtoni të “heqë shpërqendrimet”, duke iu referuar qartë luftës kundër Iranit që ka destabilizuar Gjirin Persik.
Ndërkohë bisedimet mes delegacioneve kanë nisur në Paris, ku Scott Bessent dhe He Lifeng po diskutojnë për përmbajtjen e samitit.
Analistët pyesin nëse president Donald Trump beson vërtet se mund ta shtyjë Kinën të dërgojë anije luftarake në Hormuz, apo nëse po kërkon një mënyrë për të shmangur një vizitë në Pekin në një moment kur forcat amerikane mund të përballen me reagimin e Iranit.
Një shtyrje e përbashkët e samitit mund të jetë në fakt e pranueshme edhe për Pekinin. Sipas disa burimeve, Kina do të preferonte që takimi të zhvillohej në fund të prillit, me shpresën që lufta të ketë përfunduar dhe për t’i dhënë më shumë kohë përgatitjeve pa “shpërqendrime”. Një shtyrje do të mund të lejonte gjithashtu që në agjendën e bisedimeve të përfshihej edhe çështja e Tajvanit, e cila deri tani është mbajtur jashtë nga pala amerikane./CorrieredellaSera
Komente









Do plas lufta me kine
PërgjigjuKy nuk esht asgje tjeter vecse nji qelbersire me kancer ky don te perfshi ne lufte te gjith boten per tja plotesuar deshiren vetes dhe Izraelit ,Kina duhet ta anulloj takimin le ta lene te pres jo vetem Kina por e gjith bota ta Refuzojne kerkesen e nji te cmenduri.
Përgjigju