Presidenti, garant i shkeljes së Kushtetutës!

Presidenti, garant i shkeljes së Kushtetutës!

Ilir Meta

Sot Ilir Meta ka bërë deklaratën më të guximshme të mandatit të vet presidencial. Meta paska “gjetur” zgjidhjen, përballë krizës politike të momentit, këtij zjarri që ia ka vënë Shqipërisë gruaja e tij me Lulzim Bashën, dhe që ai po merr përsipër t’i fryjë sa të ketë fuqi, por këtë radhë dhe duke na kërkuar leje.

Kërkesa e Ilir Metës është një dëshirë politike, për t’i dalë zot një prej kërkesave të opozitës, dhe si e tillë, ajo nuk është as ligjore, as kushtetuese, dhe as morale. Është thjesht paturpësi politike për të përdorur postin e presidentit në shërbim të një interesi politik familjar.

Sot ai tha se ishte gati të shkelte Kushtetutën dhe të shtynte datën e zgjedhjeve, nëse këtë ia kërkonte gruaja, Basha dhe Rama, njëzëri.

Që të jetë e qartë që në fillim për këdo që nuk është familjar me Kushtetutën, Ilir Meta nuk është thjesht gati të shkelë vetëm shkronjën “gj” të nenit 92 të Kushtetutës, e cila i jep atij prerogativën e caktimit të datës së zgjedhjeve (kompetencë që ai e ka ushtruar tashmë, që kur caktoi datën 30 qershor për këto zgjedhje), por nuk i jep prerogativën për anullimin, shtyrjen dhe ricaktimin e kësaj date përtej afateve kushtetuese dhe ligjore.

Data 30 qershor është data e fundit e periudhës zgjedhore të pranverës, të cilën Kodi Zgjedhor ia njeh presidentit si datë e mundshme për zgjedhjet. Përtej kësaj date ai nuk shkon dot, sepse duhet t’a caktojë atë në një të dielë midis 15 shtatorit dhe 30 nëntorit, d.m.th. brenda periudhës zgjedhore të vjeshtës.

Çdo datë e periudhës zgjedhore të vjeshtës bie përtej mandatit kushtetues të të zgjedhurve lokalë, i cili përfundon më datën 10 gusht të këtij viti. Më datën 10 gusht në të gjithë Shqipërinë duhet të kenë mbaruar jo vetëm zgjedhjet, por të gjitha procedurat që lidhen me to, ankimimet, apelimet, përsëritjet eventuale të votimit, atje ku zgjedhjet janë shpallur të pavlefshme etj.

Deri në këtë datë kryetarët rishtarë të bashkive duhet të kenë marrë konfirmimin e zgjedhjes në gjykatë dhe të jenë gati për të bërë betimin e për të filluar detyrën.

Nxjerrja e procesit jashtë 10 gushtit do të thote shkelje e mandatit katër vjeçar, d.m.th. e paragrafit 1 të nenit 109 të Kushtetutës. Shkelja e këtij neni do të thotë se pas datës 10 gusht nuk mund të ketë më as kryetarë, as këshilla bashkie. Pas kësaj date, çdo ditë e tyre në pushtet është dhunim i drejtpërdrejtë i pikës 3 të nenit 1 të Kushtetutës (qeverisje pa zgjedhje nuk mund të ketë), si dhe e pikave 1 dhe 2 të nenit 2 të Kushtetutës (parimi i sovranitetit popullor, parimi i përfaqësimit).

Nëse pas datës 10 gusht do të ketë kryetarë apo këshilla bashkie që do rrinë në detyrë me skenarin e Metës, çdo akt i tyre do të jetë nul dhe të gjithë ata do të kthehen automatikisht kontigjent për Prokurorinë me akuzën për ushtrim të funksioneve publike pa tagër ligjor.

I gjithë ky realitet kushtetues është i prekshëm nga kushdo dhe i kuptueshëm nga kushdo, përveç presidentit, që mendon se kryesore nuk është Kushtetuta, por axhenda e opozitës, për të cilën ai kërkon të vërë në dispozicion gatishmërinë për të shkelur Kushtetutën.

Kaq shumë shkelje të ligjit vetëm nga një fjali për hatër të gruas, asnjë lider politik shqiptar nuk ka mundur të na japë deri më sot!

Ilir Meta është gati t’i djegë të gjitha këto detyrime ligjore, sepse gruaja i rri me bidonin e benzinës në dorë, dhe Basha me shkrepsen gati, ndërkohë që ai nuk gjen dot fjalë të bindë gruan të mos merret me benzinë dhe as Lulin që të mos luajë me zjarrin.

Mandati i të zgjedhurve aktualë lokalë nuk shtyhet dot as me Kushtetutë, as me ligj, sepse ketë nuk e lejon neni 1 dhe neni 2 i Kushtetutës. Kohëzgjatja e tij është caktuar më datë 21 qershor 2015, kur shqiptarët u dhanë besimin të zgjedhurve lokalë për t’i qeverisur për KATËR vjet, asnjë ditë më shumë.

Duhet të kthehemi në kohë, të shkojmë dikur para kësaj date, të ndryshojmë Kushtetutën, të zgjasim afatin, aq sa të dojë gruaja me bidonin e benzinës në dore dhe burri qe ka qejf të luajë me zjarrin, dhe pasi të kemi  zhvilluar zgjedhjet e 21 qershorit 2015, të kthehemi prapë më 24 maj 2019 dhe të themi se dekreti i presidentit duhet shfuqizuar, për shkak se mandati i qeveritarëve vendorë nuk është 4 vjet, por është aq sa ka dashur gruaja e presidentit, me burrin që ka qejf të luajë me zjarrin.

Data e zgjedhjeve nuk shtyhet dot, as duke afruar periudhën zgjedhore të vjeshtës, apo duke caktuar një periudhë të tretë zgjedhore midis muajve korrik e gusht, jo vetëm se kjo formon ndryshim të rregullave të lojës, pasi ka filluar loja, por edhe sepse PS nuk ka mundësi (nuk ka vota) që të ndryshojë e vetme Kodin Zgjedhor. PD dhe LSI nuk e votojnë dot, se ashtu e kanë një hall, nuk shkojnë dot në Parlament, kurse opozita e re nuk ka asnjë motiv për t’i bërë qejfin as Metës, as gruas së tij, dhe as Bashës.

Skenarin e ri të presidentit as Zoti nuk e bën dot realitet. Prandaj Meta ëndrrën duhet t’a mbajë ëndërr!

Shtyrja e zgjedhjeve është thjeshtë shtyrje e axhendës për të hedhur molotov mbi Parlament dhe Qeveri, dhe jo zgjidhje.

Zgjedhjet e shtyra janë krizë e shtyrë dhe jo zgjidhje e krizës. Ajo kërkohet me qëllim që kriza të mposhtë Kushtetutën dhe jo që Kushtetuta të zgjidhë krizën. Ndaj e vetmja zgjidhje është injorimi jo vetëm i kërkesave të tilla, por larg qoftë dhe i papërgjëgjësive të tilla.

Disa muaj më parë Meta u betua se ishte gati të vdiste si Allende për të mbrojtur Kushtetutën nga Junta, tani po na garanton se është gati të vdesë për axhendën e opozitës duke shkelur Kushtetutën. Ndërkohë shqiptarët nuk i kanë kërkuar asnjë nga këto të dyja. I kanë kërkuar thjeshtë të rrijë president. Nëse nuk është mërzitur.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Luani: 25/05/2019 10:34

    Mero Baze! Je i madh dhe i paperseritshem.Di,me mire se kushdo te vesh pikat mbi i.E meriton nje Bravo te forte dhe nje pershendetje te perzemert nga shumica e popullit shqiptar.Pushka top tu befte.Asnje hap pas dhe lufte pa kompromis me shkelesit e kushtetutes e te ligjit,qofte ky LikeMeta Espinoza,Berishoserbi,Lyl Tavarishi apo baxhellame nje cizme dhe me shishe benzine ne dore.

    Përgjigju
  • Pali: 25/05/2019 05:25

    Mero je shum i sakt si perhere bravo.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rama njoftoi se do e mbyllë, personazhet shqiptarë të TikTok-ut gjejnë zgjidhjen tek një tjetër aplikacion

Rama njoftoi se do e mbyllë, personazhet shqiptarë të TikTok-ut gjejnë zgjidhjen tek një tjetër aplikacion