TIRANË- Propozimet me nga 3 emra nga socialistët apo edhe përfshirjen e qytetarëve në procesin e zgjedhjes së presidentit të ri është një farsë, megjithatë, përtej kësaj, deputeti Leftes Gështenja është i mendimit që në këtë rast opozita duhet të përfshihet dhe ta sfidojë qeverinë. Si mund ta bëj opozita këtë? Gështenja në ‘Studio Live” në Report Tv me gazetarin Arbër Hitaj, Gështenja tha se opozita duhet të jap një kandidat me integritet, një figurë të besueshme që do të jetë mbi palët. Megjithatë, ai shton se ky vendim duhet të jetë ekskluzivitet i grupit parlamentar.
“Do dalim me një ide të qartë se çfarë do të bëjmë, ndodhemi në një krizë besimi mes palëve, duhet të gjejmë një gjuhë të përbashkët, të ç’tensionojmë situatën brenda vetes dhe duke ecur në një rrugë të tillë, kemi vullnetin për të hedhur hapa të sigurt drejt bashkimit të grupit parlamentar dhe pastaj për të marrë një vendim, ky është vendim i grupit. Duhet ta sfidojmë këtë qeveri, të gjejmë një figurë të besueshme, mbi palët, nuk e shoh problemin këtu, Rama ka kohë që krijon zhurmë dhe ka bërë këtë lëvizjen me propozimin e emrave nga qytetarët, deputetë, do e quaja një farsë, nuk mund të vazhdojmë kështu”, tha ai.
Gështenja u ndal edhe te platforma e tij e prezantuar me qëllim bashkimin e demokratëve. Zgjidhja sipas tij vjen duke ribërë zgjedhjet në bazë nga e para, e përe këtë thotë se ka pasur mbështetjen e të paktën 30-36 deputetëve.
“Procesi nga e para, gjithë përfshirje, duhet meritokraci dhe vota, nuk mundet që njerëz me 30 vite kontribute të përjashtohet nga procesi, procesi duhet nga e para, të anulohet çdo garë dhe të nisë nga e para, në degën që mbuloj unë, nuk ka pasur garë, kjo nuk mund të vazhdohet kështu. Duhet ta fillojmë nga e para në qelizë që është gjithë seksioni, duke thirru intelektual, të rinj dhe të reja duhet të jemi të besueshëm të kthejmë besimin te demokratët dhe më pas te shqiptarët. Ky proces të drejtohet nga grupi parlamentar që përfaqësohen nga të gjitha palët, të ngrihet një grup pune me 5-7 persona për të filluar procesin, e vetmja rrugë për të dalë nga kjo krizë. Fillimisht, gati 36 deputetë ishin pro rifillimit zgjedhjeve nga e para, nuk ka gjithëpërfshirës të grupit parlamentar”, u shpreh Gështenja.
Në vijim të platformës, demokrati thekson se në garën për kryetarin e partisë nuk duhet të përjashtohet askush, pasi kjo nuk do i sillte asnjë të mirë partisë.
“Të kandidojnë të gjithë, nuk jam për përjashtime, për kandidatin e kujtdo qoftë duhet të vendosin forumet drejtuese, duhet të vendosen kritere dhe filtra”, vijoi Gështenja, duke thënë se platforma e tij jo domosdoshmërish duhet marrë e plotë, por të merren pikat që preferohen, të shtohen ose të hiqen të reja dhe në fund arrihet në një zgjidhje.
Një problem ku ai vë theksin në garën për kreun e PD, është se kjo parti nuk ka prodhuar figura alternative për të udhëhequr demokratët, dhe kjo për Gështenjën është një realitet i hidhur, por që ekziston në parti.
“Mos prodhimi i figurave brenda partisë është një realitet që duhet ta pranojmë, kemi treguar që nuk kemi alternativë figurash. Sot në PD nuk kemi figurën e liderit, unit, në përjashtim të Berishës që është një kandidat i pakonkurrueshëm, në këto 9 vite, PD s’ka lënë hapësira për të pasur figura alternative për të marrë drejtimin e PD”, përfundoi Gështenja në ‘Studio Live’.
Platforma e Lefter Gështenjas për bashkimin e demokratëve
1. Ngritja e Grupeve të Përbashkëta Pune në nivel qendror dhe lokal për organizimin dhe drejtimin e procesit të bashkimit dhe zgjedhjeve në PDSH në nivel qendror (5 deputetë) dhe lokal (5 veta drejtues strukture) (deri më 15/04/2022).
2.Të drejtën për të kandiduar e ka çdo demokrat që plotëson kriteret e përcaktuara më parë.
3.Duhet të fillojmë me urgjence punën në terren duke dal të gjithë bashke për të dhënë mesazhin e bashkimit pasi pas 1 viti janë zgjedhjet lokale, të jepet mesazh i qartë për çdo demokrat që Grupi Parlamentar është i bashkuar dhe i unifikuar.
Lajmi në web u përgatit nga gazetarja: Brunilda Kazani