TIRANË-Presidenti Ilir Meta ka dekretuar ditën e sotme ligjin e miratuar pak ditë më parë nga qeveria për mbylljen e lojërave të fatit në datë 31 dhjetor të këtij viti. Ligji për mbylljen e të gjitha lojërave të fatit u votua me 75 vota në datë 25 tetor nga shumica, ndërsa opozita nuk ishte e pranishme në Kuvend, pasi vijon bojkotin, që në nisje të këtij sesioni. Ligji parashikon mbylljen e pikave të basteve dhe zhvendosjen e kazinove jashtë qendrave të banuara.
Ky dekretim nga presidenti Meta i një ligji të miratuar vetëm me votat e maxhorancës, vjen në një kohë kur kreu i shtetit vijon mos të dekretojë Sandër Lleshin si ministër i punëve të Brendshme. Disa ditë më parë në kulmin e përplasjes mes presidencës dhe qeverisë presidenti Meta bëri një tjetër lëvizje duke dekretuar Helidon Bendon si kreun e SHISH, propozim i kryeministrit Rama që ndodhej në sirtarin e Presidencës që prej një viti.