Presidenti, KiE, Jagland: Procedura
të jetë transparente, bashkëpunoni

Presidenti, KiE, Jagland: Procedura<br />të jetë transparente, bashkëpunoni
TIRANE- Sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Europës, Thorbjon Jagland deklaron se procesi i zgjedhjes së presidentit duhet të jetë transparent dhe i bën apel partive politike të bashkëpunojnë për zgjedhjen e presidentit. Në një konferencë për shtyp menjëherë pas takimit me ministrin e Jashtëm Edmod Haxhinasto, Jagland deklaroi “Presidenti duhet të dalë nga një procedurë transparente. Partitë duhet të bashkëpunojnë shumë për zgjedhjen e presidentit”

Sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Europës, Thorbjon Jagland ndodhet sot në Tiranë për një vizitë zyrtare. Jagland u prit nga ministri i Jashtëm Edmod Haxhinasto me të cilën u diskutua në lidhje me angazhimin e autoriteteve shqiptare për zbatimin e prioriteteve të Presidencës shqiptare në KiE. Gjatë ditës Jagland do të zhvillojë takime dhe me presidentin Bamir Topi dhe kryeministrin Berisha.

Ndërkaq në ora 18:00-20:00, në ambjentet e Ministrisë së Punëve të Jashtme, do të zhvillohet një pritje me rastin e marrjes së Kryesisë të Komitetit të Ministrave të Keshillit të Europës, maj- nëntor 2012, shoqëruar nga një Koncert i “Orkestrës së Dhomës”.

Vizita e Zotit Jagland vjen në kohën kur Kuvendi i Shqipërisë nisi procedurat e zgjedhjes së Presidentit të Ri. Konferenca e Kryetarëve caktoi datën 30 maj për zhvillimin e raundit të parë të zgjedhjes së presidentit.

BERISHA: PRESIDENCA E KiE, MOMENT HISTORIK
Kryeministri Berisha e vlerësoi marrjen e presidencës së radhës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës nga ana e Shqipërisë si “një moment historik për Shqipërinë e shqiptarët”, por edhe si “një moment i një simbolike të veçantë për Këshillin e Evropës, i cili dëshmon ndryshimin rrënjësor që Shqipëria dhe demokracia e saj e re, por funksionale, ka arritur gjatë kësaj periudhe”.

Nga ana e tij, zoti Jagland i uroi Kryeministrit Berisha sukses të plotë në kryesimin e radhës së Komitetit të Ministrave të KE – bëri të ditur Kryeministria - duke i shprehur atij “vlerësimin dhe përgëzimet për punën e rëndësishme të bërë nga qeveria shqiptare, si për periudhën parapërgatitore për marrjen e kryesisë, ashtu edhe për përpilimin e një axhende prioritetesh e cila përputhet plotësisht me misionin dhe prioritet e kësaj organizate jashtëzakonisht të rëndësishme mbarë evropiane”.

Sipas Kryeministrisë, ndër prioritetet e kryesisë shqiptare të radhës së KE për 6 mujorin në vijim një vend të veçantë zënë të rinjtë dhe roli i tyre i rëndësishëm në proceset demokratike dhe zhvillimore ashtu edhe integruese, fuqizimi i mëtejshëm i dialogut me rajonet fqinjë, në veçanti me vendet e të ashtëquajturës pranvera arabe, duke ndarë me to përvojat dhe modelet e suksesshme të Këshillit të Evropës dhe vendeve anëtare të tij, në shërbim të promovimit të mëtejshëm të demokracisë, të drejtave të individit dhe përpjekjeve të këtyre vendeve për zhvillim të mëtejshëm.

JAGLAND TOPALLIT: VAZHDONI REFORMAT
Sekretari i Përgjithshëm i KiE-së, Thorbjorn Jagland, i shprehu sot Kryetares së Kuvendit urimet më të mira me rastin e marrjes së Presidencës së Këshillit të Europës nga Shqipëria. “Jemi të kënaqur që Shqipëria merr drejtimin e Presidencës së Këshillit të Europës. Keni shënuar një fillim të mbarë”, u shpreh zoti Jagland në takimin me Kryetaren Jozefina Topalli.

Sekretari i Përgjithshëm i KiE vlerësoi se Shqipëria ka shënuar shumë hapa pozitiv në drejtim të përmbushjes së kritereve të KE duke dëshmuar seriozitetin e saj në rëndësisnë e këtij procesi, thuhet në një njoftim të Parlamentit shqiptar.

“Një tjetër vlerësim po aq të rëndësishëm për Shqipërinë dua ta shpreh edhe për ecurinë e reformave të saj drejt Bashkimit Europian. Po, është bërë një punë shumë e madhe. Parlamenti ka një rol kyç të rëndësishëm në këtë proces dhe më vjen mirë që po shohim progres të gjithanshëm dhe inkurajojmë që Shqipëria të vijojë këtë rrugë pozitive që ka nisur për reformat”, u shpreh zoti Jagland.

TOPI: PRESIDENCA E KiE SHEMBULL I BESIMIT TE EUROPES
Jagland u prit edhe nga Presidenti Bamir Topi. Kreu Shtetit vlerësoi presidencën shqiptare të KiE si “shembull konkret i besimit që shfaqin institucionet evropiane në drejtim të zhvillimit progresiv të vendit tonë në të gjitha fushat, në konsolidimin e institucioneve të tij dhe përpjekjeve të vazhdueshme për përmirësimin dhe ngritjen në një nivel më të lartë të jetesës së qytetarëve shqiptarë”. Ai shtoi se vendi ynë do t’i përmbahet më së miri motos së presidencës së saj të radhës: “Të bashkuar në shumëllojshmëri”.

Pasi falënderoi për besimin e shprehur me këtë rast dhe siguroi për angazhimin maksimal të shtetit shqiptar në kryerjen me efikasitetin e duhur të kësaj detyre të rëndësishme, Presidenti Topi bëri një panoramë të përgjithshme të proceseve integruese në vend, të ecurisë së deritanishme të reformave elektorale dhe parlamentare, të luftës kundër korrupsionit dhe kriminalitetit, të heqjes së imunitetit për zyrtarët e lartë, gjyqtarët dhe prokurorët, konsolidimit të shtetit të së drejtës dhe gjyqësorit, zgjidhjes së çështjes së pronave, etj, duke theksuar “rëndësinë e ruajtjes së pavarësisë së institucioneve kushtetuese në çdo kohë, për funksionimin e duhur të shtetit të së drejtës dhe të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore të njeriut”, thuhet në një njoftim të Presidencës.

(im/sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

I vuri flakën vetes jashtë gjykatës ku po mbahej seanca për Donald Trump

I vuri flakën vetes jashtë gjykatës ku po mbahej seanca për Donald Trump