Presidenti ‘bllokon’ PD
ngrirje deri në shtato

Presidenti ‘bllokon’ PD<br />ngrirje deri në shtato
Pritshmëria për zgjedhjen e Presidentit dhe frika se mund të ketë rrjedhje votash në votimet sipas Kushtetutës, ka bërë që në Partinë Demokratike të bllokohet gjithçka, sëpaku deri pas përfundimit të sfidës presidenciale. Burimet brenda PD bëjnë me dije se strukturat nga qendra në bazë kanë ngrirë dhe nuk funksionojnë sipas statutit të partisë, ndërkohë që ende nuk
janë bërë zgjedhjet për në forumin më të lartë të PD, kryesinë e partisë. Ka mbi dyvjet që kongresi i radhës i PD ka rizgjedhur kryetarin e partisë, Sali Berisha, Këshillin Kombëtar duke rifreskuar radhët e tij, por ende nuk e ka zgjedhur kryesinë, sekretariatin, duke bërë që sipas statutit kryesia, nënkryetarët, përjashtuar Patozin që është automatikisht nënkryetar si kryetar i grupit parlamentar, si dhe të gjithë sekretarët të jenë të paligjshëm në këto poste, pasi mandati ka mbi dy vite që u ka skaduar. Ndërkohë që nga selia blu bëjnë me dije se një bllokim i tillë i tërë jetës organizative të partisë ka ardhur për shkak të sfidës presidenciale që është para, pasi në kupolën e PD ekziston frika se nëse do të kishte zgjedhje të anëtarëve të kryesisë, nënkryetarëve dhe të sekretariatit tani, do lindnin pakënaqësi, pasi nëse do lëvizte ndonjëri nga posti aktual mund të rrezikonte mazhorancën, por dhe nëse do të rikonfirmoheshin këta që janë, atëherë do rrezikoheshin përsëri numrat, pasi jo pak prej tyre, "skifterët" e rinj të PD ose jo, kanë pritshmëri të mëdha për të qënë në kupolën drejtuese të PD. Ndaj Berisha ka vendosur që bashkë me shtyrjen e ndryshimeve në qeveri për në shtator, për shkak se numrat në Kuvend janë në rënje e mund të rrezikohet dhe zgjedhja e Presidentit me 71 vota, të shtyjë dhe ripërtëritjen e strukturave të PD për këtë muaj.

Ky është një nga rastet më të paprecedent në një parti politike që të mos mblidhet Këshilli Kombëtar forumi më i lartë I asaj për 2 vite rresht, dhe për më tepër të drejtohet partia në nivelet e dyta të saj dhe te forumet me njerëz që ka mbi dy vjet që u ka skaduar mandati. Ndërkohë ka mbetur në letër dhe skema për rikonfigurimin e punës me bazën e partisë. Ku, duke parë se socialistët dhe kreu i saj Edi Rama kanë nisur riorganizimin e PS, Berisha ka vendosur të ndryshojë dhe delegimet e anëtarëve të kryesisë së PD por dhe të strukturave të saj në disa rrethe të vendit, duke kopjuar Ramën dhe PS. Zbatimi i kësaj skeme me saduket është shtyrë për në shtator të këtij viti, pasi të përfundojë sfida presidenciale dhe të jetë zgjedhur presidenti i ri, pasi nuk mund të delegohen anëtarë kryesie dhe sekretariati në bazë për të bërë punën e partisë, ndërkohë që ata nuk kanë mandat. Skema e përpiluar nga Berisha për rishpërndarjen bën fjalë për lëvizje të forta të të deleguarve nëpër qarqe. Kështu, kreu i grupit të qarkut të Vlorës, që aktualisht mbahet nga nënkryetari demokrat Astrit Patozi mësohet se do dërgohet në vend të Sokol Olldashit në qarkun e Fierit.
Në këtë qark pritet të ketë për ndihmë anëtarët e kryesisë Ilir Bano dhe Albana Vokshi. Ndërkohë që Olldashi do të shkojë në krye të listës së qarkut të Durrësit. Duke qënë se votat janë lëkundur në këtë qark, për shkak të fitores së dytë radhazi nga Dako i PS, Olldashi sëbashku me Rusmalin dhe Shamatën pritet që të rikthejnë mbështetjen tek e djathta.
Ndryshime ka dhe në qarkun e Vlorës, ku shkojnë anëtarët e kryesisë Fatos Beja e Leonard Demi e ministry Arben Imami, të cilët do të përballojnë sfidën në këtë qark. Ndryshime ka dhe në qarkun e Elbasanit, ku shkojnë Majlinda Bregu nga Tirana dhe Eduart Halimi, më parë në qarkun e Durrësit. Ndërsa Tirana mbulohet nga kreu i bashkisë Lulzim Basha, që lëviz nga qarku i Elbasanit dhe anëtarët e kryesisë Aldo Bumçi, Bujar Nishani e Gerti Bogdani, të cilët kanë qënë në këtë qark. Qarku i Gjirokastrës rikonfirmon Rulin, qarku I Lezhës Palokën, i Beratit Pollon, i Korçës Boden e Spahon, i Kukësit Nokën, i Dibrës Gjanën dhe i Shkodrës Topallin.

(aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

PD do të bllokojë rrugët, policia: Është vepër penale! Organizatorët do mbajnë përgjegjësi administrative dhe penale

PD do të bllokojë rrugët, policia: Është vepër penale! Organizatorët do mbajnë përgjegjësi administrative dhe penale