Kur nuk të duan, nuk mund të thuash: Pse nuk më doni, kur do të na doni, apo dhe më keq: Duhet të na doni! Të presim kohë më të përshtatshme, nëse për ne do të vijnë. Kështu e kërkon edukata dhe sjellja e mirë. Ndryshe bëjmë rolin e stalkeri-t, përndjekësit.

E megjithatë, do të ishte më mirë sikur Presidenti francez Emmanuel Macron të na thonte argumente më bindëse se pse nuk hap tani rrugën për hyrjen tonë në Bashkimin Europian. Na tha se ne shqiptarët jemi vendi i dytë me kërkesa më të larta azilkërkimi në Francë. Dhe është e vërtetë, e pranojmë. Dëshira jonë për të shkuar me të gjitha mënyrat, për të jetuar e për t'u integruar në një vend të Bashkimit Europian është më e madhja, më e forta nga të gjithë vendet e tjera të Europës Lindore. Azilkërkuesit shqiptarë kudo në Europë, me përjashtime të vogla, nuk janë trafikantë, apo njerëz të rrezikshëm, janë ata shqiptarë që kanë në shpirt e në zemër punën, të bukurën, e ëndërrojnë dhe shkrijnë të gjitha mjetet e tyre financiare e familjare, e ligjore (për fat të keq) për ta realizuar. Janë endërrimtarët dhe guximtarët më të mëdhenj nga të gjithë ne që qëndrojmë ende këtu me shpresën se europianë do të na bëjnë.

Do të doja të imagjinoja një eksperiment gati 50 vjeçar diktature si ajo që patëm ne shqiptarët me të tjerë popuj, psh. francezët, zviceranët apo holandezët. Do të doja të shihja se si do të dilnin nga ai eksperiment i tmerrshëm, izolues e depersonalizues popuj të tjerë. Besoj se të gjithë do ta kishin të vështirë. Atëherë kur Europa hapte zemrën e mendjen, kur në vitet '70 Queen nisën rrugëtimin e kompozonin Bohemian Rhapsody dhe një gjeni si Freddie Mercury as nuk e çante kokën se vishej si grua apo ishte homoseksual, ne, pasi kishim flakur miqësinë me Jugosllavinë, Bashkimin Sovjetik e përgatiteshim të sfidonim edhe Kinën, shtypeshim, internoheshim, vriteshim vetëm se në një festival e kënduam më me ndjenjë e më lirshëm melodinë. Diktatorit tonë me edukim e studime franceze, të cilit për pak vite i kishte "dalë nga kontrolli" situata, pikërisht në vitet '70 i hipën në kokë të shtrëngojë deri në torturë e të shtrydhë e shtypë atë pak frymëmarrje e liri.

Pas viteve '90, Shqipëria në Europë shpërtheu si një tenxhere me presion, një presion që nuk do të ndalojë asnjëherë derisa ne të jemi një trup me të. Macron nuk do të ketë parë ndonjëherë në Francë sytë e një shqiptari. Të një azilkërkuesi. Askush nuk i ka folur për ne?  Në Itali i kanë parë sytë dhe zemrën tonë. Edhe në Gjermani e kanë bërë. Shqiptarët e mirë punojnë fort. Duke mos e pasur kurrë fatin për të pasur një shtet siç e shohin kudo në Europë, jemi më të dëshiruarit e më të vendosurit, ndaj, me të vënë këmbën në Europë bëhemi më francezë se francezët, më italianë se italianët e më gjermanë se gjermanët. Por kjo për Macron nuk është asgjë. E megjithatë duhet të kënaqemi, pasi nuk na vuri përballë kriminalitetin, siç bënë me hile holandezët pasi do të ishte e pandershme. Sigurisht, ka edhe kriminelë shqiptarë, madje ne e dimë kush janë e sa janë, na sfidojnë përditë me luksin e shpërfilljen e shtetit nga ana e tyre,  por statistikat europiane flasin qartë: Shifrat janë të papërfillshme në krahasim me cilindo kriminalitet tjetër në Europë. Kush thotë të kundërtën, e bën vetëm për të na sulmuar.

Besoj Macron na tha "Jo" se nuk na njeh, shqiptarët nuk janë thjeshtë shifra azilkërkuesish, janë më ëndërrimtarët, shtetdëshiruarit e liridashësit për në Europë. E megjithatë asgjë e bukur nuk bëhet me zor, me siguri do të vijë dhe koha jonë.